Raya në dyshim për duelin ndaj Man Cityt, Arsenali pret vendimin e mjekëve
Portieri i Arsenalit, David Raya, pritet t’i nënshtrohet kontrolleve të fundit mjekësore për të përcaktuar nëse do të jetë i gatshëm për përballjen e së dielës ndaj Manchester Cityt, në kuadër të Lig ë s Premier.
Gardiani spanjoll mbetet në dyshim për këtë ndeshje, pasi u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një lëndimi në shpatull gjatë barazimit të fundjavës së kaluar ndaj Newcastle United.
Për shkak të këtij problemi fizik, Raya mungoi edhe në takimin e Ligës së Kampionëve kundër Borussia Dortmundit, të zhvilluar të martën. Fillimisht ekzistonin shqetësime se ai mund të qëndronte jashtë fushave për rreth dy javë.
Megjithatë, rikthimi i tij në stërvitje në ditët e fundit ka shtuar optimizmin te stafi i Arsenalit për mundësinë e aktivizimit ndaj Manchester Cityt.
Sipas raportimeve, problemi i portierit lidhet me një nerv në zonën e shpatullës, gjendje e cila ka shfaqur përmirësime gjatë pjesës së dytë të javës.
Raya u pa në dhimbje të mëdha kur u zëvendësua në stadiumin “St.James' Park”, ndërsa në fillim të kësaj jave u fotografua edhe me krahun e vendosur në mbajtëse.
Trajneri Mikel Arteta ishte i rezervuar në deklaratat e tij të së premtes sa i përket gjendjes së portierit, por tashmë ekziston mundësia që spanjolli të jetë në dispozicion për duelin e rëndësishëm.
Vendimi përfundimtar do të merret pas kontrolleve mjekësore, ndërsa Raya mund të luajë ndaj Manchester Cityt nëse merr miratimin e stafit mjekësor. /Telegrafi/
