POLITIKATË FUNDIT

Rasti i Fehim Salit, eksperti i sigurisë ngre alarmin: Duhet të hetohen lidhjet dhe kanalet e komunikimit

Ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Fehim Salit, nën dyshimin për spiunazh.

Gjykata ka arsyetuar paraburgimin edhe me rrezikun e ndikimit në dëshmitarë e prova, si dhe mundësinë e përsëritjes apo vazhdimit të veprës penale.

Eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, ka thënë se rastet e dyshuara të spiunazhit duhet të trajtohen me seriozitet të veçantë, pasi mund të prekin drejtpërdrejt interesat e sigurisë kombëtare.

ImageFidair BerishaFoto galeri
“Kur kemi të bëjmë me spiunazh, natyrisht se secili rast duhet të merret me seriozitet, sepse dyshimet për spiunazh, nëse mbështeten në prova konkrete, lidhen drejtpërdrejt me interesat e sigurisë kombëtare. Megjithatë, është shumë e rëndësishme të bëhet dallimi ndërmjet një dyshimi të arsyeshëm dhe fajësisë së provuar. Në këtë fazë, duhet pasur kujdes të veçantë, sepse duhet t’u lihet hapësirë institucioneve të drejtësisë dhe organeve hetimore që ta sqarojnë tërësisht rastin, sepse askush më mirë se këto institucione nuk mund të kontribuojë për rastin konkret.

Nëse e shikojmë nga këndvështrimi i sigurisë, është me rëndësi të veçantë të kuptohet se çfarë informacioni dyshohet se është siguruar ose transmetuar, kujt i është transmetuar, për çfarë qëllimi dhe nëse ka pasur ndikim mbi interesat strategjike të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Berisha ka theksuar se hetimi në raste të tilla duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të përfshijë identifikimin e kontakteve, kanaleve të komunikimit dhe çdo elementi tjetër që mund të ndihmojë në zbardhjen e rastit.

“Në raste të dyshuara të spiunazhit, hetimi nuk kufizohet vetëm te veprimi i pretenduar, por duhet të sigurojë edhe provat, të identifikojë kontaktet dhe kanalet e komunikimit dhe të përcaktojë nëse aktiviteti ka qenë i izoluar apo pjesë e një veprimtarie më të gjerë.

Gjithmonë duhet të llogaritet se ekziston rreziku i ndikimit te dëshmitarët ose ndërhyrjes në prova. Ky rrezik mund të jetë veçanërisht i ndjeshëm nëse personi ka pasur qasje në informacione, kontakte apo struktura që janë relevante për hetimin. Po ashtu, mundësia e vazhdimit të veprimtarisë së dyshuar është një çështje që institucionet duhet ta vlerësojnë me kujdes të veçantë, por gjithmonë brenda standardeve ligjore dhe mbi bazën e provave konkrete”, ka shtuar ai.

Sipas ekspertit të sigurisë, nëse gjatë hetimeve konfirmohen dyshimet për spiunazh, rasti mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë kombëtare.

“Në secilin rast, nëse gjatë hetimeve konfirmohen dyshimet për spiunazh, atëherë potencialisht ka të bëjë me një çështje serioze të sigurisë kombëtare. Rreziku nuk lidhet vetëm me informacionin që mund të jetë komprometuar, por edhe me mundësinë që një aktor i jashtëm të ketë krijuar qasje, kontakte ose kanale ndikimi brenda institucioneve apo shoqërisë sonë.

Pikërisht për këtë arsye, hetimi duhet të shkojë përtej pyetjes nëse kemi të bëjmë vetëm me një individ. Duhet të shqyrtohet në mënyrë profesionale nëse ka persona të tjerë të përfshirë, nëse ekzistojnë lidhje organizative ose financiare dhe nëse aktiviteti i dyshuar ka qenë pjesë e një strukture më të gjerë.

Mendoj se ky rast, në përgjithësi, duhet të trajtohet me seriozitet, por edhe me shumë kujdes institucional. Në çështjet e zbulimit-kundërzbulimit, profesionalizmi, ruajtja e provave dhe koordinimi ndërmjet institucioneve janë po shumë të rëndësishme. Gjithmonë, ajo që nuk guxon të ndodhë është nënvlerësimi i rrezikut, ashtu edhe nxjerrja e përfundimeve para se hetimi të përfundojë në plotësi!”, ka përfunduar Berisha për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *