Ramë Lahaj elektrizon Cyrihun, nis turneun ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN”
Tenori me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, ka nisur turneun ndërkombëtarë, të quajtur “PASSION & ORIGIN”. Si pikënisje për këtë rrugëtim të tij, Lahaj ka zgjedhur Cyrihun si pikënisje, duke dhuruar një mbrëmje të veçantë muzikore së bashku me orkestrën Arma. Pak para nisjes, padyshim që emocionet e tij ishin të shumta, pasi, për performancën e jashtëzakonshme të tij të pranishëm do ishin mbi 1 mijë persona, në sallën e Kongresshaus/Tonhalle. Kur gjithçka ishte gati dhe nisja u bë, publiku ishte ngritur në këmbë, duke kënduar bashkë me artistin këngët e njohura shqiptare “O vendi im” dhe “Luleborë”. I shoqëruar nga orkestra Arma, tenori shqiptar interpretoi pjesë të përzgjedhura nga repertori ndërkombëtar i muzikës klasike dhe asaj të popullarizuar, duke u pritur me duartrokitje të gjata dhe admirim nga publiku. Megjithatë, momentet më emocionuese të mbrëmjes erdhën me interpretimin e këngëve të njohura shqiptare, shkruan Telegrafi. Tingujt e “O vendi im” dhe “Luleborë” ngritën në këmbë mbi 1 mijë të pranishmit, të cilët iu bashkuan Lahajt duke kënduar në kor. Për shumë prej tyre, këto interpretime u shndërruan në momente të veçanta malli dhe lidhjeje me vendlindjen, duke dëshmuar fuqinë e muzikës për të bashkuar shqiptarët, pavarësisht distancës nga atdheu. Pos Cyrihut, koncerti do të rrugëtojë edhe në qytete të tjera të Gjermanisë, Austrisë dhe vendeve të tjera evropiane. Përmes këtij turneu, tenori synon jo vetëm të prezantojë artin e tij para publikut ndërkombëtar, por edhe të promovojë aktivitetin e Fondacionit Ramë Lahaj, një organizatë kulturore e themeluar prej tij.
Misioni i fondacionit është promovimi i muzikës klasike, zbulimi dhe edukimi i talenteve të reja në Kosovë dhe në trojet shqiptare, si dhe krijimi i urave lidhëse mes artistëve shqiptarë dhe skenave ndërkombëtare të operës. Mbrëmja në Cyrih dëshmoi edhe një herë se muzika shqiptare, kur interpretohet nga artistë të nivelit ndërkombëtar, arrin të prekë publikun dhe të ruajë të gjallë lidhjen emocionale me rrënjët dhe identitetin kombëtar. Telegrafi Disapora së shpejti do sjell edhe në mënyrë vizuele përcjelljen e këtij koncerti. /Telegrafi/
