POLITIKATË FUNDIT

Rama publikoi “dhunuesit”, Bardhi: Kriminelët e vërtetë janë në qeveri

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili mesditën e kësaj të premteje, 23 tetor, publikoi “listën e zezë” të personave që kanë kryer akte dhune në protestë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi e ka cilësuar të turpshme qasjen e kreut të qeverisë, duke e akuzuar atë për standarde të dyfishta dhe përpjekje për të baltosur qytetarët që ngritjen e zërit.

Sipas Bardhit, Rama kërkon respektimin e prezumimit të pafajësisë për zyrtarë të mazhorancës që janë marrë të pandehur nga SPAK, ndërsa ndaj qytetarëve që protestojnë përdor akuza dhe gjuhë denigruese, pa prova dhe pa një vendim gjykate.

“Kur nuk ke përgjigje për kërkesat e rinisë, rruga më e lehtë është baltosja dhe shpifja! Por faktet flasin vetë! Po të ishte kujdesur Edi Rama të verifikonte të kaluarën dhe integritetin e zëvendëskryeministrave, ministrave, deputetëve, kryetarëve të bashkive dhe drejtorëve të tij, Shqipëria nuk do të ishte katandisur në këtë gjendje.

Por, për të ruajtur pushtetin, ai ka dëshmuar se është i gatshëm të ngrejë në majat e qeverisjes individë të lidhur me krimin e organizuar. Ndërsa, për të goditur këdo që e konsideron kërcënim për pushtetin e tij, është i gatshëm të përdorë çdo mjet, deri në përpjekjet për të kriminalizuar kundërshtarët dhe qytetarët shqiptarë”, shkruan Bardhi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *