Rama ndërpret intervistën me gazetarin amerikan, Channel 5: E pyetëm për korrupsionin dhe lidhjet me Kushner
Kryeministri Edi Rama ka ndërprerë një intervistë me gazetarin amerikan Andrew Callaghan, e cila po zhvillohej në Tiranë për platformën “Channel 5”.
Ka qenë vetë “Channel 5” që ka bërë të ditur episodin, duke publikuar në rrjetet sociale se Rama është larguar nga intervista para përfundimit të saj. Intervista e plotë pritet të publikohet javën e ardhshme.
Sipas “Channel 5”, biseda ishte përqendruar te çështje që lidhen me Shqipërinë dhe hetimet e zgjeruara për korrupsionin, pastrimin e parave dhe trafikun e drogës.
https://www.instagram.com/channel5/?utm_source=ig_embed&ig_rid=Acokzapp7ujK2K6yFvRchwX
Gjatë intervistës, Callaghan i ka drejtuar Ramës pyetje të drejtpërdrejta edhe për marrëdhënien e tij me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.
Gazetari amerikan e ka pyetur kryeministrin edhe për projektet e Kushnerit në bregdetin shqiptar, duke e çuar bisedën te marrëdhëniet mes kryeministrit dhe investitorit amerikan.
Sipas raportimit të “Channel 5”, pas këtyre pyetjeve Rama ka ndërprerë komunikimin dhe është larguar, duke mos e përfunduar intervistën.
Nuk janë bërë ende publike të gjitha pyetjet dhe përgjigjet e intervistës. “Channel 5” ka paralajmëruar se materiali i plotë do të publikohet javën e ardhshme, çka pritet të japë më shumë detaje mbi bisedën mes Ramës dhe Callaghan.
