Rahovec: Arrestohet punonjësi i postës, i dyshuar për përvetësim të 10,146 eurove nga qarkullimi ditor
Policia e Kosovës ka arrestuar një person i cili dyshohet se ka dështuar të raportonte paratë e qarkullimit ditor në dy pika postare në Rahovec, duke përvetësuar shumën prej 10,146.12 eurosh.
Rasti ka ndodhur më 27.11.2026, kur i dyshuari është arrestuar pasi dyshohet se nga datat 19 dhe 20 tetor 2026 kishte përvetësuar nga qarkullimi ditor i zyrave postare shumën prej 10 mijë e 146 eurove e 12 centësh.
“Lidhur me rastin, me datën 27.11.2026 është siguruar prezenca e të dyshuarit, i cili është intervistuar në prezencën e avokatit sipas detyrës zyrtare dhe me aktvendim të prokurorit kompetent ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Provat e siguruara me autorizim të Prokurorisë në Gjakovë
Hetimet janë ndërmarrë në bazë të autorizimit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
“Bazuar në autorizimin e pranuar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, nga njësitë përkatëse policore janë ndërmarrë veprime hetimore në drejtim të zbardhjes së rastit, ku si rrjedhojë janë siguruar prova që dëshmojnë se i dyshuari ka kryer veprën penale ‘përvetësim në detyrë’ nga neni 418 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
Rasti mbetet në fazën hetimore, ndërsa prokuroria do të vendosë për masat e mëtejshme pas skadimit të afatit të ndalimit 48 orësh.
