POLITIKATË FUNDIT

Qeveria e Kosovës miraton tri projektligje me Suedinë: Nga ekstradimi te transferimi i të dënuarve

Qeveria e Kosovës miratoi tri projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Suedisë në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot tri projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve me Mbretërinë e Suedisë në fushën e drejtësisë, që përfshijnë ekstradimin, ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale dhe transferimin e personave të dënuar.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, gjatë prezantimit të projektligjeve, theksoi rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit juridik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë dhe të krijimit të bazës së nevojshme ligjore për trajtimin më efektiv të çështjeve penale me element ndërkombëtar.

Marrëveshja për ekstradim përcakton kushtet dhe procedurat për dorëzimin e personave të kërkuar për ndjekje penale ose për vuajtjen e dënimeve të shqiptuara nga autoritetet gjyqësore.

Ministrja Gërvalla tregoi se ratifikimi i këtyre marrëveshjeve, synon të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë, të lehtësojë trajtimin e procedurave penale ndërkufitare dhe të kontribuojë në luftimin e krimit, në përputhje me standardet e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *