POLITIKATË FUNDIT

“Pushkën plot” – ekspertët mbështesin deklaratën e Kurtit dhe forcimin e ushtrisë së Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosovës i nevojitet forcim i kapaciteteve ushtarake dhe armatim modern, për shkak të sfidave të vazhdueshme të sigurisë dhe qasjes së Serbisë ndaj shtetit të Kosovës.

Në një intervistë për emisionin “Politiko”, Kurti tha se Kosova vazhdon të përballet me provokime nga Serbia, e cila ende nuk e njeh pavarësinë e vendit.

“Vazhdimisht ka provokime me drona, ushtri e xhandarmëri, sepse është një shtet që nuk ta njeh ekzistencën dhe rrjedhimisht ne duhet të forcohemi”, tha Kurti, duke shtuar se “kur ke fqinjin e keq, pushkën duhet me mbajt plotë”.

Hoxha: Synimi i Kosovës duhet të jetë ndërtimi i kapaciteteve të mjaftueshme mbrojtëse, në mënyrë që forcat tona të jenë të afta të mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit

Ish-ushtaraku, Hafir Hoxha, në një përgjigje për “Bota sot”, ka deklaruar se qëndrimi i kryeministrit Albin Kurti për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës nuk është retorikë zgjedhore, por një politikë e vazhdueshme institucionale.

Ai theksoi se, Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja kanë punuar prej vitesh në rritjen e buxhetit, modernizimin e armatimit dhe thellimin e bashkëpunimit me NATO-n, SHBA-në dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Deklarata e djeshme e Albin Kurtit se Kosovës i nevojitet forcimi i kapaciteteve mbrojtëse nuk duhet parë si retorikë e fushatës zgjedhore. Ai ka shprehur të njëjtin qëndrim edhe më herët, ndërsa institucionet e sigurisë së Kosovës prej vitesh janë të angazhuara në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, së bashku me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kanë qenë vazhdimisht aktivë në rritjen e buxhetit të mbrojtjes, në blerjen e armatimit dhe teknologjisë moderne ushtarake, si dhe në zhvillimin e trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta me aleatët tanë nga NATO-ja, SHBA-ja dhe vendet e tjera partnere”, tha ai.

Tutje, ai thotë se forcimi i kapaciteteve mbrojtëse duhet të jetë prioritet shtetëror afatgjatë dhe jo temë debatesh politike.

Ai theksoi nevojën për bashkëpunim me ekspertët e sigurisë dhe ruajtjen e konfidencialitetit në çështjet e mbrojtjes.

“Synimi i Kosovës duhet të jetë ndërtimi i kapaciteteve të mjaftueshme mbrojtëse, në mënyrë që forcat tona të jenë të afta të mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Kjo duhet të jetë një politikë shtetërore afatgjatë dhe prioritet kombëtar, pavarësisht se cila parti është në pushtet. Në çështjet e sigurisë nuk duhet të ketë ndarje pozitë-opozitë.

Qeveria duhet të bashkëpunojë vazhdimisht me ekspertët e sigurisë, oficerët dhe komandantët me përvojë, si dhe me strukturat aktive të mbrojtjes, për të analizuar zhvillimet rajonale dhe globale dhe për të hartuar politika të qëndrueshme të sigurisë. Asnjë kryeministër apo ministër nuk mund të planifikojë me sukses politikën e mbrojtjes pa mbështetjen profesionale të ekspertëve të fushës.

Prandaj, në këtë kontekst, nuk duhet të flitet më shumë sesa është e nevojshme në opinionin publik. Siguria kombëtare nuk duhet të shndërrohet në temë debatesh të përditshme politike apo elektorale, veçanërisht nga persona që nuk kanë informacionin dhe njohuritë e nevojshme. Çdo shtet serioz ruan me kujdes sekretet e tij të sigurisë dhe përcakton qartë se çfarë mund të bëhet publike dhe çfarë duhet të mbetet konfidenciale.

Kosova ka nevojë të vazhdojë punën për ndërtimin e një doktrine moderne të mbrojtjes dhe për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake. Megjithatë, kjo duhet të bëhet duke respektuar standardet profesionale, sekretin shtetëror dhe interesin kombëtar, e jo duke e shndërruar sigurinë në temë të debateve të zakonshme politike gjatë fushatave zgjedhore”, – u shpreh ai për “Bota sot”.

Blakaj: Forcimi i kapaciteteve mbrojtëse nuk është shenjë agresiviteti

Kurse, eksperti i sigurisë, Korab Blakaj tha se Kosova duhet të vazhdojë investimet serioze në mbrojtje dhe forcimin e ushtrisë, duke pasur parasysh qasjen e Serbisë ndaj Kosovës dhe modernizimin e vazhdueshëm të forcave të saj ushtarake.

“Deklarata e Kurtit, parë përtej retorikës se zakonshme politike, duhet parë si rikujtim i një realiteti që shpesh tentohet të relativizohet: Kosova vazhdon të jetojë pranë një shteti që nuk e njeh ekzistencën e saj dhe që në dekadat e fundit ka ridëshmuar se stabilitetin e rajonit e sheh më shumë si instrument presioni sesa si vlerë të përbashkët.

Historia na mëson se paqja s‘ka si garantohet nga dëshirat, por nga raportet reale të fuqisë. Kombet e vogla nuk mbijetojnë sepse të tjerët ua duan të mirën; ato mbijetojnë sepse ndërtojnë kapacitete që e bëjnë çdo aventurë kundër tyre të kushtueshme dhe të papranueshme.

Prandaj, pyetja nuk është nëse Kosovës i duhet armatim. Pyetja është nëse Kosova mund ta lejojë luksin që të mos investojë seriozisht në mbrojtje?

Ndërsa Serbia vazhdon të investojë miliarda në modernizimin e forcave të saj ushtarake, ndërsa vazhdon të blejë sisteme të avancuara, të zhvillojë stërvitje intensive dhe të mbajë të hapur narrativën e mosnjohjes së Kosovës, atëherë çdo shtet i përgjegjshëm do të vepronte njësoj: do të forconte ushtrinë, mbrojtjen ajrore, inteligjencën, industrinë e sigurisë dhe rezervën strategjike”, shprehet Blakaj për “Bota sot”.

Më tej, ai theksoi se forcimi i ushtrisë dhe investimet në siguri janë garanci për paqe dhe sovranitet.

Ai kërkoi më shumë investime strategjike në mbrojtje, duke kritikuar mospërputhjen mes deklaratave të kryeministrit dhe nivelit të investimeve në armatim.

“Paqja afatgjatë asnjëherë nuk është ndërtuar mbi dobësi. As drejtësia. Dobësia fton presion. Dobësia fton shantazh. Dobësia krijon varësi. Vetëm një shtet që është në gjendje të mbrojë veten mund të negociojë me dinjitet dhe të ruajë sovranitetin e tij.

Për këtë arsye, Kosova duhet të hyjë në një fazë intensive të investimeve strategjike në siguri: rritje të buxhetit të mbrojtjes, modernizim të Forcës së Sigurisë së Kosovës, zhvillim të kapaciteteve teknologjike, mbrojtjes kundërajrore, sistemeve të vëzhgimit dhe bashkëpunimit me Shqipërinë, Turqinë dhe aleatët perëndimorë.

Qëllimi duhet të jetë që askujt të mos i shkojë ndër mend lufta.

Sa më e fortë të jetë Kosova, aq më e sigurt do të jetë paqja. Sa më e madhe të jetë aftësia e saj mbrojtëse; deri në nivelin potencial për të kryer sulme parandaluese aq më i vogël do të jetë rreziku i aventurave destabilizuese. Në politikën ndërkombëtare, respekti nuk fitohet vetëm me argumente morale; ai fitohet edhe me aftësinë për të mbrojtur lirinë, territorin dhe sovranitetin.

Prandaj, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse nuk është shenjë agresiviteti. Është detyrim shtetëror. Është sigurim kombëtar. Dhe është një investim në paqe, jo në luftë.

Në rajonin tonë ku kujtesa historike është ende e freskët, vigjilenca është përgjegjësi.

Pra; PUSHKA PLOTË! por e pyesim Kryeministrin; pse ka kontraditë të thellë mes asaj që e thotë dhe asaj që e bën?

Nga mbi 18 miliardë euro të menaxhuara krenohet me rreth 460 milionë euro blerje!”, përfundoi ai për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *