TË FUNDIT

Pse ilegalja shqiptare enveriste ishte në anën e gabueme – kundër Planit “Marshall”?

Historia e Kosovës nga viti 1945 e deri në ditët e sotme duhet me u nda në disa etapa kohore, sepse rrethanat politike, shoqërore dhe historike kanë ndryshue ndjeshëm prej njanës periudhë në tjetrën.

E para asht etapa prej vitit 1945 deri në vitin 1966. Kjo ishte nji periudhë kur Kosova pothuajse ishte pa të drejta elementare njerëzore, e mos të flasim për të drejta politike e kombëtare. Represioni shtetëror, dhuna, diskriminimi dhe mungesa e hapësinës politike krijonin nji gjendje në të cilën shqiptarët e Kosovës kishin shumë pak mundësi me e shprehë vullnetin e tyne politik në mënyrë legale.

Në këto rrethana, shfaqja e ilegales shqiptare me ideologji enveriste ishte, në nji masë të madhe, e kuptueshme dhe e arsyeshme për kohën.

Por kjo duhet me u kuptue brenda kontekstit të asaj kohe dhe jo me u bartë automatikisht në periudhat që erdhën ma vonë.

Kosova me Kushtetutën e vitit 1974, u ba subjekt konstituiv i Federatës dhe fitoi të drejtën e paritetit, të vetos dhe të konsensusit në institucionet federale, duke u barazue me pozitën kushtetuese të republikave.

Kjo ishte nji prej etapave ma të randësishme në historinë politike të Kosovës. Për herë të parë, shqiptarët e Kosovës kishin ndërtue nji sistem të zhvilluem institucionesh, arsim të lartë në gjuhën shqipe, Universitetin e Prishtinës, administratë dhe përfaqësim politik, si dhe nji hapësinë shumë të madhe për zhvillimin arsimor, kulturor, politik, diplomatik e kombëtar.

Kur Kosova arriti evoluime, gjegjësisht avancime të mëdha statutare e institucionale, grupet ilegale nuk lëvizën nga vendi. Ato nuk e evoluuan veprimtarinë e tyne politike në përputhje me ndryshimet që kishin ndodhë në Kosovë dhe në Jugosllavi, as nuk e orientuen kërkesën e tyne kah demokracia liberale perëndimore, siç vepruen pjesë të opozitave dhe të burgosunve politikë në republikat tjera jugosllave.

Pikërisht këtu qëndron nji prej paradokseve ma të mëdha të historisë politike të Kosovës. Ilegala shqiptare e Kosoves nuk e përshtati programin dhe metodat e veta me realitetin e ri politik, por vazhdoi me veprue mbi bazën e ideologjisë enveriste.

Ndërsa në republikat tjera të Jugosllavisë, pjesë të disidencës dhe të burgosunve politikë u shkëputën nga komunizmi dhe u orientuen kah pluralizmi politik, demokracia liberale dhe modelet politike perëndimore, në Kosovë ndodhi nji dukuni e veçantë: pjesa dermuese prej atyne që vazhdonin me vuajtë burgjet politike nuk po burgoseshin për kërkesa të demokracisë liberale, por për veprimtari të lidhuna me nji ideologji revolucionare të frymëzueme nga enverizmi.

Që të jet paradoksi edhe ma i madh, ilegalja kosovare edhe kur kaluan të jetoninë në shtetet perendimore, vazhduan me të njejtat aktivitete e veprime të bazueme në nji ideologji që plani “Marrshall” do ta shembte përfundimisht pas pak viteve.

Demokracia perëndimore, pluralizmi politik dhe liria individuale ishin para syve të tyne, jetonin dhe veproninë në sistemin e demokracisë perendimore, por orientimi politik i tyne nuk ndryshoi, vazhduan me luftue me ideologji enveriste për lirin e Kosovës.

Kjo nuk e zvogëlon sakrificën personale të njerëzve që vuajtën burgje, tortura apo persekutim. Por, në nji analizë historike, sakrifica personale duhet dallue nga përmbajtja ideologjike e kauzës për të cilën njeriu sakrifikohet. Pikërisht kjo ndarje na lejon me e kuptue ma drejt historinë e asaj kohe, pa e mitizue dhe pa e zhvlerësue askënd.

Por, më në fund erdhi Mesia! Ishte Rugova ai që, me ardhjen e tij në skenë, e shtyu politikën shqiptare të Kosovës drejt një koncepti krejt tjetër: pluralizmit politik, demokracisë, ndërtimit të institucioneve, orientimit të qartë kah Perëndimi dhe, mbi të gjitha, kërkesës për pavarësinë e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *