Protestuesit i vënë zjarrin Kuvendit, reagon Niko Peleshi: Dhuna nuk i shërben asnjë kauze
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka reaguar pasi protestuesit kanë hyrë në objektin e Kuvendit dhe i kanë vënë zjarrin.
Peleshi në postim në Facebook ka thënë se “vandalizmi s’ka lidhje me studentët dhe protestën demokratike”.
Peleshi u ka bërë thirrje subjekteve politike të distancohen nga nxitjet dhe thirrja për dhunë.
“Shënjestrimi i godinës së Kuvendit dhe i institucioneve publike, si dhe kthimi i tyre në caqe të zemërimit të verbër, janë të papranueshme. Vandalizmi nuk ka asnjë lidhje me studentët dhe protestën demokratike.
Dhuna dhe shkatërrimi nuk i shërbejnë asnjë kauze, por dëmtojnë interesin publik dhe vetë shoqërinë. U bëj thirrje subjekteve politike të distancohen nga nxitjet dhe thirrjet për dhunë. Agjenda politike e askujt nuk është më e rëndësishme se Shqipëria”, ka shkruar Peleshi. /Telegrafi/
