Protestë në dhjetor, punëtorët e sektorit privat kërkojnë pagë minimale 600 euro dhe rrogën e 13-të
Sindikalistët e sektorit privat në Kosovë kanë paralajmëruar organizimin e një proteste gjatë muajit dhjetor, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Vendimi është marrë në një takim të mbajtur nën udhëheqjen e kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ku morën pjesë edhe kryetarët e shoqatave të punëtorëve të sektorit privat në Prishtinë.
Përmes një njoftimi, sindikata ka bërë të ditur se protesta do të organizohet për të kërkuar plotësimin e tri kërkesave kryesore.
Kërkesa e parë është që paga minimale të jetë 600 euro, duke filluar nga 1 janari 2027. Po ashtu, sindikalistët kërkojnë që punëtorëve të sektorit privat t'u ndahet paga e 13-të, njësoj sikurse punëtorëve të sektorit publik, si dhe t'u paguhet stazhi i punës.
Sipas njoftimit, këto kërkesa i janë dorëzuar Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që nga muaji prill i vitit 2026.
“Punëtorët e sektorit privat meritojnë trajtim të barabartë, dinjitet dhe respekt për kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në reagimin e sindikatës.
Ndërkohë, data e saktë e protestës pritet të bëhet e ditur në vijim. /Telegrafi/
