Propaganda mediatike e Edi Ramës dhe fjala e mbajtur e Mexhitit për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut
Për interesa meskine, koha ka treguar se disa shqiptarë shpeshherë kanë dëmtuar interesat kombëtare, sepse mbi ndjenjën atdhetare kanë vendosur egot personale. Kjo ndodhi përsëri vetëm pak muaj më parë, kur, për llogari të Edi Ramës, propaganda mediatike e ekonomike e Tiranës shënjestroi Izet Mexhitin dhe VLEN-in, për të pasqyruar një realitet të deformuar, të mbushur me të pavërteta.
Pseudopatriotë, pseudopazarxhinj të fjalës, dilnin nëpër studio dhe hidhnin helm e vrer për të deformuar e për të mbuluar me tymnajë realitetin dhe të vërtetën për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Kam qenë edhe vetë në këto debate, ku pafytyrësia, e mbuluar me vellon e atdhetarit, sulmonte dhe deformonte gjithçka që kishte të bënte me të vërtetën për Maqedoninë e Veriut.
Askush nuk ngrinte pyetje në kohën e Ali Ahmetit: Në çfarë gjuhe jepej provimi? Kur BDI-ja ka pasur tetë ministra të Drejtësisë, në çfarë gjuhe është dhënë ky provim? Askush nuk bënte pyetje, vetëm sulmonin dhe shigjetonin Izet Mexhitin dhe VLEN-in. U zhvilluan protesta, u lëvizën studiot, u ndezën dritat, por askush nuk guxoi ta thoshte të vërtetën.
Në fakt, aleati më i mirë i së vërtetës është koha dhe koha tregoi se Izet Mexhiti e mbajti fjalën e dhënë për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Pavarësisht se askush nga mediat në Tiranë dhe askush nga klasa politike nuk e përshëndeti këtë arritje, studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut tashmë do të mund ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Një e drejtë që u takon, por që klasa politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut nuk e kishte parë të arsyeshme, ose nuk kishte pasur fuqinë t’u imponohej Gruevskit apo Zaevit për ta bërë këtë të mundur.
Pikërisht këtu qëndron dallimi i madh mes atyre që patriotizmin e përdorin si dekor televiziv dhe atyre që e kthejnë në përgjegjësi politike. Sepse gjuha shqipe nuk mbrohet me britma në studio, me deklarata të porositura apo me patriotizëm sipas interesave të ditës. Ajo mbrohet me vendime, me të drejta të garantuara dhe me fjalë të mbajtura.
Sot, ata që dje e sulmonin Izet Mexhitin për gjuhën shqipe, kanë detyrimin moral t’u përgjigjen shqiptarëve: Përse heshtën për vite me radhë kur kjo e drejtë nuk garantohej dhe përse ngritën kaq shumë zhurmë pikërisht kur u premtua zgjidhja e saj?
Në fund, propaganda mund ta deformojë të vërtetën për një kohë, mund të prodhojë patriotë të rremë dhe armiq imagjinarë, por nuk mund ta ndryshojë përgjithmonë realitetin. Edi Ramës dhe propagandës së tij mund t’u mbetet zhurma e studiove, por Izet Mexhitit do t’i mbetet fjala e mbajtur për gjuhën shqipe!
Koha ka treguar se historia nuk mban mënd ata që përdorin kombin për pushtetin e tyre personal dhe interesat e ditës, por ata që i lënë vëndit një të drejtë më shumë. #share #shpërndajeni
