Profesori flet për humbjen e Orban dhe fitoren e Magyar – zbërthen skenarin që e pret politikën e Ballkanit
Udhëheqësi i partisë, Tisza, Peter Magyar, ka fituar zgjedhjet parlamentare në Hungari, teksa kryeministri aktual, Viktor Orban, e ka uruar për fitoren në votimet e së dielës.
Orban ka udhëhequr me Hungarinë për 16 vjet dhe në zgjedhjet e 12 prillit garoi për mandatin e gjashtë radhazi.
Në një prononcim për media, Orban tha se rezultati i zgjedhjeve “është i qartë” dhe “i dhimbshëm” për partinë e tij, por u zotua se do t’i shërbejë Hungarisë nga opozita.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi.
Profesori thotë se Hungaria ka bërë një kthesë të madhe politike duke u larguar nga orientimi pro-rus i Viktor Orban dhe duke u rikthyer drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s me fitoren e Peter Magyar.
ImageEnver BytyçiFoto galeri
Ai thekson se hungarezët zgjodhën këtë drejtim sepse historikisht dhe shpirtërisht janë të lidhur me Perëndimin dhe refuzojnë afrimin me Rusinë.
“Hungaria bëri kthesën e madhe. E orientuar me Viktor Orban nga Moska dhe Vladimir Putin, në zgjedhjet e së dielës së kaluar ktheu fytyrën e saj nga Bashkimi Europian. Udhëheqësi i partisë Tisza, Peter Magyar, fitoi zgjedhjet parlamentare dhe tashmë pritet ndyshimi i plotë i politikave të Hungarisë në favor të Bashkimit Europian dhe NATO-s. Orban ishte bërë pengesë e kësaj aleance. Ai e ndryshoi kahjen e kësaj aleance nga Perendimi në Lindje. Spekulloi me rrezikun rus dhe iu kundërvu Ukrainës. Bëri një akt tradhtie ndaj Ukrainës dhe Europës, sepse dihet që lufta në Ukrainë është një luftë e drejtë e këtij vendi dhe populli për mbrojtjen e sovranitetit territorial kundër një agresioni, siç është ai rua. Orban e ndryshoi narrativën. Mori anën e agresiorit kundër viktimës, në emër të interesave kombëtare të vendit të tij.
Por pse hungarezët nuk e votuan Orban, edhe pse ai luajti me ndjenjat nacionaliste dhe idenë e mbrotjes na Rusia?! Sepse hungarezët kanë sentiment perendimor. Sepse revolucioni i parë anti-bolshevik në Europën Lindore ka ndodhur në Hungari në vitin 1956. Sepse hungarezët nuk shohin asnjë lidhje me Moskën dhe Rusinë dhe ishin ndër popujt e parë nga vendet e perandorisë komuniste që u shkëputën me entusiazëm nga ajo perandori për t’u bashkuar me Europën dhe NATO-n. Ajo që bie në sy në këto zgjedhje lidhet me faktin se hungarezët votuan të dielën e shkuar një politikan konservator, por i orientuar nga Perendimi. Për Europën është lajmi më i mirë i shumëpritur. Nuk do të ketë më së paku bllokim ndihmash për Ukrainën dhe nuk do të ketë më veto për t’i vendosur sanksione Rusisë. Të shohim se çfarë do të bëjë kryeministri i Sllovakisë, Fico”, u shpreh ai.
Humbja e Orban ndryshon balancat politike në Ballkan
Tutje, Bytyçi shpjegon që humbja e Orban pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor, sepse ai ishte një mbështetës i fortë i Serbisë dhe liderëve të saj, duke ndikuar negativisht sidomos për Kosovën.
Ndër të tjera, ai shton se me ardhjen e Peter Magyar, pritet që Hungaria të mos mbështesë më këta liderë dhe interesat ruse në rajon, çka mund të sjellë ndryshime politike dhe dobësim të elitave aktuale, veçanërisht në Serbi dhe Shqipëri.
“Ndërsa sa i përket rajonit të Ballkanit Perendimor, humbja e Organ i hap rrugë zhvillimeve të reja në rajonin tonë. Orban ishte mbështetja kryesore e Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandër Vuçiq. Po ashtu edhe e liderit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik. Ishte ndërmjetës midis tyre dhe mikut të tij, Donald Trump. Në këtë kuptim rajoni ynë, sidomos Kosova, tashmë do të ketë një kundërshtar të saj më pak. Madje një kundërshtar të fuqishëm më pak. Edhe ky është një lajm shumë i mirë. Megjithëse Orban kishte marrë anën e Serbisë kundër Kosovës, ai ishte gjithashtu mik i ngushtë i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ishte i pari kryeministër hungarez që ka vizituar vendin tonë me ftesë të Edi Ramës. Lidhjet e tij me Ramën shkojnë përtej Orban. Kryeministri i Shqipërisë nuk ka dashur t’ia dijë nëse dikush në Europë apo Amerikë është kundër ose jo Kosovës. Thjesht ka shfrytëzuar pozicionin e tij për të siguruar mbështetje për pushtetin e tij. Orban ishte mbështetësi kryesor i Ramës ashti si edhe i kryeministrit maqedonas, presidentit të Serbisë dhe liderit serbo-boshnjak.
Ne ende nuk e dimë se si dhe sa do të ndryshojnë marrëdhëniet e Peter Magyar me liderët ballkanikë që u përmendën më lart. Por logjikisht duhet të besojmë se qëndrimi i tij nuk do të jetë i njejtë me atë të Orban. Derisa Orban ishte i orientuar të mbështesë interesat ruse në rajonin tonë, me Magyar do të duhet të ndodhë e kundërta, të kujdeset për praninë europian në Ballkan. Kjo do të thotë se liderët autokratë të Ballkanit nuk do ta kenë më mbështetjen e Hungarisë. Kjo do të thotë se priten ndryshime në elitat politikë në rajonin tonë, sidomos në Serbi dhe në Shqipëri”, shpjegoi profesori.
Koha që Kosova të shfrytëzojë momentin për integrim europian
Në fund, profesori nënvizon se Viktor Orban ka qenë kundër Kosovës dhe ka mbështetur qëndrime që e dëmtojnë atë, ndërsa me ardhjen e Peter Magyar pritet një qasje më e drejtë dhe më e paanshme e Hungarisë në raport me Kosovën dhe dialogun me Serbinë.
Ai potencon se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë ndryshim politik për të avancuar interesat e saj, sidomos për anëtarësim në organizata ndërkombëtare si Këshilli i Europës.
“Viktor Orban ishte kundërshtar i Kosovës psh për pranimin e saj në Këshillin e Europës, por edhe sa i përket masave kundër saj. Ai ka këmbngulur që Kosova dhe qeveria e saj të ndëshkohet si fajtore në marrëdhëniet e saj me Serbinë dhe everinë e presidentin serb. Nuk besoj se do të bëjë të njëjtën gjë edhe Peter Magyar, derisa ai erdhi në pushtet me vullnetin e zgjedhësve hungarezë pro-europianë. Prandaj dhe ka shumë gjasa që qasja e Hungarisë për dialogun Kosovë-Serbi të shkojë në favor të se drejtës dhe të së vërtetës. Prat ë jetë i paanshëm dhe objektiv.
Qeveria dhe institucionet e tjera të Kosovës duhet ta shfrytëzojnë këtë moment të rëndësishëm të ndryshimeve politike në Hungari për të avancuar objektivat e vendit për shtetndërtim dhe sidomos për t’u bërë pjesë e organizatave ndërkombëtare. Nuk e di se si e ka shfrytëzuar zoti Kurti vizitën e tij në Shën Ellisë të Parisit për qëllime të tilla. Por takimi i tij me presidentin francez, Emmanuel Macron, do të duhej të sillte pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës sa më shpejt të ishte e mundur. Fitorja e Magyar e favorizon arritjen e këtij objektivi në afat sa më të shkurtër”, përfundoi profesori Bytyçi për “Bota sot”.
