PORTIMI I NUMRAVE MOBIL: ARKEP tregon shifrat
PORTIMI I NUMRAVE MOBIL: ARKEP tregon shifrat
Sistemi i portimit (bartshmërisë) së numrave të telefonisë mobile në Kosovë po funksionon pa vështirësi që nga zbatimi i tij më 5 tetor 2026, sipas të dhënave të fundit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), raporton Buletini Ekonomik.
Në një përgjigje zyrtare për këtë media prishtinase, ARKEP ka konfirmuar se deri më 22 tetor, në orën 14:00, janë realizuar gjithsej 2,300 bartje të numrave mobil. Prej këtyre, rreth 2,200 numra janë bartur nga IPKO te Vala (telefonia mobile e Telekomit Publik të Kosovës), ndërsa 100 numra kanë kaluar nga Vala te IPKO, investim i operatorit shtetëror slloven në Kosovë.
Si të kontrolloni operatorin e numrit?
Me funksionalizimin e bartshmërisë, prefikset telefonike nuk janë më tregues i sigurt i operatorit. Abonentët mund ta verifikojnë nëse një numër është aktualisht i regjistruar te një operator përmes platformës #ShikoNumrin në www.shikonumrin.com .
Ky shërbim është hapur për të gjithë abonentët, duke u mundësuar atyre të ndërrojnë operatorin pa humbur numrin ekzistues.
Rregullat e Kosovës nuk vlejnë për kompaninë bijë të Telekom Srbija në Kosovë – mts D.O.O.
Rregullatori sqaron se bartshmëria aktualisht vlen vetëm ndërmjet dy operatorëve – Vala dhe IPKO. Numrat e operatorit mts D.O.O. (prefiksi 047) nuk mund të barten drejt këtyre dy operatorëve apo anasjelltas.
Arsyetimi i ARKEP-it vjen për shkak të kufizimeve infrastrukturore dhe territoriale të operatorit mts, të cilat burojnë nga konteksti i zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit. Autoriteti nuk ka specifikuar një afat kur do të tejkalohen kufizimet dhe kur mts do të përfshihet në sistem.
