TË FUNDIT

Policia zvicerane paralajmëron për mashtrim në WhatsApp, përmes “Ghost Pairing” mund të vidhet llogaria juaj

Një skemë mashtrimi në WhatsApp, e njohur si “Ghost Pairing”, po rikthehet në vëmendje, ndërsa policia paralajmëron përdoruesit për rrezikun e marrjes së kontrollit të llogarive të tyre nga persona të panjohur.

Sipas raportimeve të mediave gjermane dhe zvicerane, mashtruesit shfrytëzojnë funksionin e lidhjes së pajisjeve në WhatsApp për të fituar qasje në llogaritë e përdoruesve.

Pasi arrijnë ta lidhin pajisjen e tyre me një llogari tjetër, ata mund t'u dërgojnë mesazhe kontakteve të viktimës dhe të kërkojnë para në emër të saj, shkruan 20Minuten , transmeton Telegrafi.

Skema nis zakonisht me një mesazh që duket sikur vjen nga një mik apo person i njohur.

Viktima mund të marrë një lidhje për një votim online, një konkurs ose një aktivitet tjetër, si dhe udhëzime për të skanuar një kod QR apo për të konfirmuar lidhjen e një pajisjeje.

Nëse i ndjek këto hapa pa e kuptuar se çfarë po autorizon, mund t'u japë mashtruesve qasje në llogarinë e saj.

Një rast i raportuar në Gjermani përfshiu një 26-vjeçar nga rajoni i Oberpfalz-it, i cili mori një kërkesë për ndihmë financiare përmes llogarisë WhatsApp të një të njohuri.

Duke besuar se mesazhi ishte i vërtetë, ai transferoi një shumë prej disa qindra eurosh.

Kur mori një kërkesë të dytë për para, dyshoi dhe e telefonoi personin në fjalë, i cili i tha se nuk kishte dërguar asnjë mesazh. Viktima e raportoi rastin në polici.

Për t'u mbrojtur nga kjo skemë, përdoruesit këshillohen të kontrollojnë rregullisht pajisjet e lidhura me llogarinë e tyre.

Në WhatsApp, kjo mund të bëhet te seksioni “Pajisjet e lidhura” (Linked Devices), ku duhet të shkëputen menjëherë pajisjet e panjohura.

Policia rekomandon gjithashtu që përdoruesit të mos ndajnë kodet e verifikimit me persona të tjerë, të mos konfirmojnë lidhje të pajisjeve që nuk i kanë kërkuar vetë dhe të aktivizojnë verifikimin me dy hapa.

Në rastet kur një kontakt i njohur kërkon papritur para, këshillohet që kërkesa të verifikohet përmes një telefonate ose një kanali tjetër komunikimi, pasi llogaria e tij mund të jetë komprometuar.

Ekspertët paralajmërojnë se një nga rreziqet kryesore të “Ghost Pairing” është fakti se WhatsApp mund të vazhdojë të funksionojë normalisht në telefonin e viktimës edhe kur një pajisje tjetër ka fituar qasje në llogari. Për këtë arsye, kontrollimi i pajisjeve të lidhura është një hap i rëndësishëm për sigurinë e përdoruesve. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *