Policia në Gjakovë shton kontrollet ndaj automjeteve me modifikime të paautorizuara
Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjakovë po vazhdon kontrollet e shtuara ndaj automjeteve që dyshohet se nuk i plotësojnë kushtet teknike për pjesëmarrje të sigurt në trafik.
Sipas Policisë, kontrollet janë përqendruar në identifikimin e modifikimeve të paautorizuara në automjete, përfshirë xhamat e errësuar, ndërhyrjet në sistemin e ndriçimit, sistemet e shkarkimit të gazrave dhe zhurmës, si dhe ndryshimet e tjera që mund të ndikojnë në gjendjen teknike të tyre.
Automjetet në të cilat evidentohen parregullsi teknike dërgohen për kontroll të jashtëzakonshëm teknik, me qëllim të verifikimit të gjendjes së tyre dhe garantimit të sigurisë në trafik.
Policia ka bërë të ditur se gjatë këtij viti një numër i konsiderueshëm automjetesh janë dërguar për kontroll të jashtëzakonshëm teknik, pa specifikuar numrin e saktë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë u ka bërë apel drejtuesve të automjeteve që t’i mirëmbajnë mjetet e tyre, të shmangin ndërhyrjet e palejuara dhe të respektojnë dispozitat ligjore në fuqi.
