Policia identifikon 15 vetura të paregjistruara në Podujevë brenda tri orësh
Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë ka identifikuar 15 vetura të paregjistruara që qarkullonin në rrugë publike në rajonin e Podujevës.
Sipas njoftimit të Policisë, veturat janë identifikuar gjatë një kontrolli të jashtëzakonshëm, në një rrugë rajonale dhe brenda një periudhe prej tri orësh, përmes përdorimit të pajisjeve dhe veturave inteligjente për monitorimin e trafikut.
Policia ka bërë të ditur se ndaj ngasësve janë ndërmarrë masat e parapara me ligj, përfshirë largimin e menjëhershëm të automjeteve nga trafiku dhe shqiptimin e gjobave.
Ky aksion, sipas Policisë, është pjesë e angazhimeve për rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në trafik që t’i respektojnë rregullat dhe t’i regjistrojnë automjetet me kohë, duke paralajmëruar se përdorimi i teknologjisë dhe veturave inteligjente do të vazhdojë në mënyrë intensive në rrugët e rajonit. / Telegrafi /
