Pikë kthese për drejtësinë: Byroja që verifikon dhe konfiskon pasurinë e pajustifikueshme
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar të hënën Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i propozuar nga Ministria e Drejtësisë.
MD-ja thotë se kjo është një nga nismat kryesore reformuese në kuadër të forcimit të sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
Në fjalën e tij, Kryeministri Albin Kurti, tha se Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme përbën një nga zotimet më të rëndësishme të Qeverisë në fushën e drejtësisë.
“Angazhimin tonë të madh për jetësimin e Byrosë, fatkeqësisht, ish-pushtetarët iu përgjigjën me kundërshtim e zell të paimagjinueshëm. Jemi sfiduar, por nuk jemi ndalur e as nuk do të ndalemi. Do ta jetësojmë Byronë përkundër atyre që motivet e vërteta i fshehin prapa ankesave në Gjykatën Kushtetuese”, tha Kurti.
Ndërsa zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla thuhet se theksoi rëndësinë e këtij ligji për rritjen e llogaridhënies dhe besimit qytetar në institucione.
“Ky ligj jep një mesazh të qartë: Mandati publik nuk është mundësi për pasurim personal, si dhe është përgjegjësi që duhet kryer bazuar në dispozitat dhe obligimet ligjore. Në anën tjetër, për qytetarët, kjo nismë dhe ky ligj do të thonë më shumë barazi, pastaj drejtësi dhe gjithashtu, më shumë besim në institucionet shtetërore”, deklaroi ajo.
Më tej, thuhet se Gërvalla shtoi se ky projektligj është rezultat i një procesi disavjeçar reformash që ka nisur në vitin 2021 dhe është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke reflektuar rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe gjetjet e Gjykatës Kushtetuese.
Mirëpo, çka pritet pas miratimit të këtij projektligji folën njohësit e drejtësisë.
Halilaj: Ndikimi i këtij ligji pritet të jetë i shumëfishtë
ImageGazmend HalilajFoto galeri
Fillimisht, avokati Gazmend Halilaj e mirëpriti miratimin e këtij projektligji, deirsa tha se është një hap shumë me rëndësi për luftimin e korrupsionit dhe konfiskimit të pasurisë së paligjshme.
Sipas tij, projektligji në fjalë, synon të vendos standarde për transparencë dhe llogaridhënie në institucionet e shtetit.
“Miratimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme përbën një nga hapat më të rëndësishëm dhe më të guximshëm në rrugën e ndërtimit të një shteti të së drejtës në Kosovë, duke dëshmuar qartë vullnetin politik të Qeverisë dhe të Lëvizjes Vetëvendosje për të luftuar pa kompromis korrupsionin dhe pasurimin e paligjshëm.
Ky projektligj nuk është thjesht një iniciativë ligjore, por një mekanizëm konkret që synon t’i japë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve që kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme në kurriz të qytetarëve, duke vendosur standarde të reja transparencë dhe llogaridhënieje në institucionet publike”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Halilaj mbështeti deklaratën e kryeministrit Kurti, derisa tha se për herë të parë krijohet një instrument që verifikon pasurinë dhe e konfiskon atë kur nuk është e ligjshme.
“Deklarata e Kryeministrit Albin Kurti se ky është një hap vendimtar nuk është retorikë politike, por reflektim i një reforme thelbësore që prek drejtpërdrejt themelet e shtetit, sepse për herë të parë krijohet një instrument efikas që verifikon pasurinë dhe e konfiskon atë kur nuk justifikohet me të ardhura të ligjshme”.
Ndër të tjera, avokati shtoi se, ndikimi i kësaj Byroje do jetë i shumëfishtë dhe sipas tij do rikthejë besimin e qyetarëve për drejtësi.
Madje, këtë e vlerësoi si një një pikë kthese për Kosovën.
“Ndikimi i këtij ligji pritet të jetë i shumëfishtë, duke filluar nga rikthimi i besimit të qytetarëve në drejtësi, rritja e integritetit institucional, dekurajimi i korrupsionit në nivelet e larta dhe dërgimi i një mesazhi të qartë se askush nuk është mbi ligjin. Në këtë kontekst, kjo nismë përfaqëson një pikë kthese për Kosovën dhe një dëshmi se kur ekziston vullnet politik i sinqertë, lufta kundër korrupsionit nuk mbetet slogan, por shndërrohet në veprim konkret me rezultate të prekshme”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.
Theksojmë se, konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme konsiderohet si një ndër shtyllat në luftimin e korrupsionit në Kosovë.
Në Kosovë që nga viti 2018, ekziston Ligji për kompetencat e zgjeruara për të konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale.
Sipas këtij ligjit, prokurori duhet të dëshmojë se pasuria e listuar për verifikim është pasuri e të pandehurit, ndërsa i pandehuri duhet të dëshmojë se atë pasuri e ka përfituar me burime të ligjshme, për të cilat duhet të ofrojë prova, në të kundërtën, ajo konfiskohet nga gjykata.
Sipas ligjeve aktuale, konfiskimi i pasurisë nënkupton marrjen e përhershme të pasurisë që është fituar në mënyrë të kundërligjshme, sipas urdhrit të formës së prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent, kurse sekuestrimi nënkupton marrjen e pasurisë nga organi kompetent deri në vendimin e prerë të gjykatës.
Burjani: Mund të krijohet një gjykatë antikorrupsion
ImageBlerim BurjaniFoto galeri
Ndërsa, për dallim nga avokati Halilaj, juristi Blerim Burjani e mbështet më shumë themelimin e një gjykatë të veçantë për luftimin e korrupsionit.
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” potencon se byroja është vështirë të jetë në përputhje me Kushtetutën.
“Gabim është, s’ka një byro të ligjshme që të jetë në përputhje me rendin kushtetues dhe ligjor. Mund të krijohet një gjykatë antikorrupsion, siç kanë themeluar disa shtete të tjera, pra një gjykatë e specializuar për të luftuar korrupsionin kundër shtetit dhe qytetarëve”.
Krahas kësaj, juristi paralajmëroi se kjo nismë mund të rrëzohet nga Kushtetuesja.
Ai potencoi se, Kosova ka ligje të sakta, thjeshtë duhen zbatuar.
“Kjo është një tentativë që mund të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese pa asnjë problem, shumë thjesht, me një ekzaminim të lehtë.
Kosova ka ligje, përfshirë edhe Kodin Penal, por thjesht nuk janë zbatuar. Pra, Kosova nuk ka një nevojë për një byro të veçantë, të çuditshme ligjërisht për sistemin tonë juridik”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.
