TË FUNDIT

Pesë trendet më elegante të dekorimit të pemës së fundvitit për vitin 2026

Nga zbukurimet artizanale te nostalgjia retro, dizajnerët rikthejnë magjinë e festave përmes detajeve që ndërthurin traditën me estetikën moderne

Nuk ekziston një mënyrë e vetme për të dekoruar pemën e fundvitit. Në fakt, një pjesë e madhe e gëzimit që sjellin Kërshëndellat dhe Viti i Ri buron nga ritualet dhe traditat që kemi krijuar e ruajtur ndër vite.

Megjithatë, mund të frymëzohemi edhe nga trendet më të spikatura të dekorimit për vitin 2026.

Nuk është e nevojshme të hiqni dorë nga zbukurimet që keni mbledhur ndër vite, por mund t’i kombinoni ato me elemente që sjellin freski, ngrohtësi dhe karakter në ambientet tuaja, shkruan Homes & Gardens , transmeton Telegrafi.

1. Pema me motive tradicionale

Dekorimet e frymëzuara nga arti popullor janë ndër trendet kryesore të këtij viti. Koleksionet e vitit 2026 përfshijnë zbukurime prej filci, punime me copa tekstili dhe elemente artizanale.

Nostalgjik dhe plot hijeshi rustike, ky stil po fiton popullaritet falë vlerësimit gjithnjë e më të madh për dekorimet me karakter individual.

“Ka diçka jashtëzakonisht ngushëlluese te dekorimet e frymëzuara nga tradita. Ato na kujtojnë kohën kur festat kishin më pak të bënin me krijimin e një shtëpie të dekoruar në mënyrë të përsosur dhe më shumë me kënaqësinë e punimeve me dorë”, shpjegon Martina Casonato nga The Venetian Pantry.

Materialet si kashta, thuprat e thurura, filci dhe druri i japin ambientit ngrohtësi dhe teksturë natyrale. Bukuria e këtyre zbukurimeve qëndron edhe në faktin se mund të trashëgohen brez pas brezi.

2. Dekorime plot fantazi dhe ngjyra

Një ndërthurje e atmosferës së përrallave, ngjyrave lozonjare, motiveve romantike dhe detajeve vintage karakterizon këtë trend.

Fjongot prej shiriti, zbukurimet shumëngjyrëshe dhe dekorimet që imitojnë ëmbëlsirat krijojnë një pamje festive, të gjallë dhe origjinale.

Dizajnerja Melanie Lissack sugjeron kombinimin e ngjyrave bordo, rozë, blu, të gjelbër dhe kafe.

Për një rezultat më elegant, ajo rekomandon fjongo me shirita të gjatë që varen lirshëm përgjatë degëve të pemës.

Kombinimet e blusë së çelët me të kaften apo të kuqes me rozën janë veçanërisht tërheqëse dhe pasqyrojnë tendencat aktuale të interierëve modernë.

3. Minimalizëm me efektin e borës

Dekorimi minimalist mund të jetë po aq festiv, i ngrohtë dhe elegant sa stilet tradicionale.

Paleta neutrale, zbukurimet e thjeshta artizanale dhe nuancat e bardha krijojnë një atmosferë dimërore, pa e mbingarkuar pemën.

Disa fenerë delikatë prej letre, zbukurime në formën e kristaleve të akullit dhe ndriçimi i butë mund të jenë gjithçka që nevojitet për një pamje të sofistikuar.

Për të evokuar freskinë e dimrit, mund të zgjidhni një pemë artificiale me maja të zbardhura ose të përdorni borë artificiale dekorative, duke krijuar përshtypjen e një peme të sapombuluar nga dëbora.

4. Eleganca e epokës viktoriane

Shumë prej traditave të Kërshëndellave që njohim sot u popullarizuan gjatë epokës viktoriane.

Madhështia dhe pasuria estetike e kësaj periudhe përbëjnë një burim frymëzimi për dekorimin e pemës festive.

Girlandat me feta portokalli të thara, fjongot prej kadifeje, dritat LED në formë qirinjsh dhe zbukurimet vintage krijojnë një atmosferë të rafinuar, të mbushur me nostalgji.

Ky stil është veçanërisht i përshtatshëm për ata që vlerësojnë traditën dhe dëshirojnë t’i japin ambientit një karakter historik e aristokratik.

5. Rikthimi i nostalgjisë retro

Trendi i njohur si “Kitschmas” rikthehet në vitin 2026, duke sjellë ngjyra të guximshme, shkëlqim dhe frymëzim nga vitet ’70 dhe ’80.

Girlandat metalike vezulluese, zbukurimet shumëngjyrëshe dhe aksesorët ekstravagantë krijojnë një atmosferë që zgjon kujtime nga fëmijëria.

Sipas dizajnerit Landon McAfee, dekorimet vintage mbartin kujtime të bukura, ndërsa ndërthurja e elementeve të vjetra me ato të reja e bën çdo pemë të veçantë.

Gentl & Hyers / Houses & Parties

Pavarësisht stilit që preferoni, zbukurimet me vlerë sentimentale do të kenë gjithmonë vendin e tyre. Pikërisht ndërthurja e kujtimeve personale me trendet bashkëkohore i jep pemës së fundvitit karakterin dhe hijeshinë e saj. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *