Përplasje mes policisë dhe deputetëve të Partisë Mundësia
Tensionet kanë vijuar pranë Kryeministrisë edhe pas shpërndarjes së turmës së protestuesve. Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, dhe deputeti Erald Kapri janë përfshirë në një debat me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe efektivët e policisë.
Dy deputetët kanë kërkuar shpjegime nga Hita lidhur me përdorimin e forcës ndaj protestuesve dhe daljen e forcave RENEA, por efektivët nuk i kanë lejuar t’i afrohen drejtuesit të policisë dhe të kalojnë përtej kordonit.
Situata është tensionuar më tej, ndërsa gjatë përplasjes fizike, Shehaj dhe Kapri janë shtyrë nga punonjësit e policisë. Në një moment, ndaj deputetit Erald Kapri është përdorur spraj me piper djegës, duke e goditur në fytyrë.
