TË FUNDIT

Përplasja Haxhiu-Gashi ngjall reagime të forta – VV i drejtohet Çitakut: A u deklarove për mysafiren tënde?

Një debat i tensionuar gjatë konferencës për media të kryetares së Kuvendit dhe ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka marrë përmasa të reja pas publikimit të detajeve nga KosovaNews lidhur me mënyrën se si gazetarja Edona Gashi, e njohur si “Shoqja Edonë”, kishte hyrë në ambientet e Kuvendit.

Sipas Kuvendit, Gashi nuk kishte pasur akreditim mediatik dhe kishte hyrë në ndërtesë përmes Arita Krasniqit, zyrtare e lartë personale e deputetes së PDK-së, Vlora Çitaku, si mysafire e kësaj partie.

Lidhur me rastin ka reaguar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, e cila ka kërkuar publikisht sqarime nga Vlora Çitaku.

“Hyn në Kuvend si mysafire e deputetes Vlora Çitaku, shtron pyetje si gazetare dhe nuk e lë Presidenten të përgjigjet. Vlora, a u deklarove për mysafiren tënde?”, ka shkruar Fejza.

Ajo ka shtuar se, pavarësisht zhurmës së krijuar rreth rastit, sipas saj, “s’ka asnjë zhurmë që mund ta mjegullojë qartësinë e qëndrimeve dhe veprimeve të Albulena Haxhiut”.

Reagimeve për rastin iu është bashkuar edhe deputetja, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, e cila ka drejtuar kritika ndaj Vlora Çitakut lidhur me hyrjen e personave në ndërtesën e Kuvendit.

“Kandidatja e PDK-së për nënkryetare të Kuvendit Vlora Çitaku, kontrabandon (fut tinëz) njerëz brenda ndërtesës së Kuvendit, për të penguar konferencën e Kryeparlamentares”, shkroi ajo.

Reagim ka pasur edhe nga Selman Sokoli, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ka shprehur kritika të ashpra ndaj gazetares në fjalë dhe PDK-së.

Sokoli ka pretenduar se hyrja e gazetares në Kuvend përmes zyrtares së Vlora Çitakut ishte e organizuar me qëllim të krijimit të një përplasjeje me Haxhiun.

“Këta definitivisht janë të papërmirësueshëm. Një sekretare partie si Vlora Çitaku e fut në mënyrë klandestine një zagaricë, kinse gazetare, që ajo ta bëjë skena te Presidentja në detyrë”, ka shkruar Sokoli.

Ai ka akuzuar PDK-në se, sipas tij, po përdor metoda të tilla për të goditur kundërshtarët politikë, duke e cilësuar rastin si një skenar politik.

“Filma të lodhur, që vetëm PDK-ja di t’i bëjë, e që asesi nuk po arrin t’i përshtatë me metodat e reja demokratike” shkroi ai.

Ndërkohë, në përgjigjen zyrtare të dhënë për KosovaNews, Kuvendi ka konfirmuar se Edona Gashi fillimisht nuk ishte lejuar të hynte në ambientet e institucionit për shkak të mungesës së akreditimit. Sipas shërbimit të sigurisë, ajo më pas kishte hyrë përmes Arita Krasniqit.

Kuvendi ka theksuar se, pavarësisht pranisë së saj në konferencë, Gashi nuk kishte autorizimin përkatës si përfaqësuese e akredituar e medias.

Përplasja mes Haxhiut dhe Gashit kishte ndodhur gjatë konferencës, kur gazetarja vazhdonte me pyetje edhe pas përgjigjes së Haxhiut lidhur me protestat qytetare. Haxhiu i kishte kërkuar të mos e ngrinte zërin dhe të sillej me më shumë mirësjellje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *