Përparim Bajrami doli nga burgu i Shutkës, ja çfarë pasurie la si garancion
Këshilli Penal pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup ka pranuar garancinë prej 1.140.781 eurosh, e ofruar në formë të pronës së paluajtshme, dhe ka marrë vendim për heqjen e masës së paraburgimit ndaj Përparim Bajramit, të akuzuarit të parë në rastin e njohur si “Lotaria”.
Sipas deklaratës së avokatit mbrojtës dhënë për TV21, garancia nuk është vënë nga pasuria personale e Bajramit, por përfshin prona të paluajtshme të prindit të tij, si dhe prona të një subjekti juridik apo kompanie, emri i së cilës nuk është bërë i ditur.
Vendimi është bërë i plotfuqishëm pasi prokurori publik dhe palët hoqën dorë nga ankesa, ndërsa Bajrami pritet të lirohet nga Burgu i Shkupit pas regjistrimit të hipotekës në Kadastër.
Për të garantuar praninë e tij në gjykatë, atij i janë caktuar masa shtesë kujdesi, duke përfshirë konfiskimin e pasaportës, ndalimin e nxjerrjes së dokumentit të ri të udhëtimit dhe detyrimin për t’u paraqitur rregullisht në institucione.
Ndaj Bajramit, më 13 gusht 2026, u ngrit aktakuzë për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar”, vepër që parashikon deri në pesë vjet burg. Pasi më parë kishte qenë i paarritshëm, ai u dorëzua vetë më 9 shtator për të vuajtur paraburgimin, i cili sipas Ligjit për Procedurë Penale për këtë lloj aktakuze zgjat më së shumti 60 ditë deri më 8 nëntor. Në seancën e 18 shtatorit, ai u deklarua i pafajshëm.
Në këtë rast, përveç Bajramit, të akuzuar janë edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, ish-sekretari i Qeverisë Metodija Dimovski dhe pesë ish-anëtarë të Bordit Mbikëqyrës. Ata akuzohen se i kanë shkaktuar dëm SHA “Lotaria Shtetërore” prej rreth 9,7 milionë eurosh, përmes një vendimi qeveritar për blerjen e terminaleve të videolotarisë dhe organizimin e pavarur të lojërave të fatit, pavarësisht se kjo e drejtë që nga viti 2013 ishte investuar si kontribut jomonetar prej 6,2 milionë eurosh në kompaninë e përbashkët me “Casinos Austria”.(INA)
