Përkujtohet Tahir Sinani, Kurti: S’iu mbivendos zinxhirit komandues pa u përballur me forcat serbe
Këtë të mërkure në Prishtinë u mbajt Akademia Përkujtimore me rastin e 25-vjetorit të rënies të komandantit Tahir Sinani, që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se është e para e organizuar nga institucionet e Kosovës, përkatësisht nga qeveria.
Kurti tha se Tahir Sinani mori formim prej ushtaraku profesionist, pa e ditur as vetë që ishte duke u përgatitur për disa nga betejat me të lavdishme që do t’i bënin shqiptarët në historinë e tyre moderne.
Sipas Kurtit, mobilizimi i Tahir Sinanit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që më 1998 nuk ia shtoi UÇK-së thjesht një luftëtar më shumë, por ia solli asaj një nga oficerët më të dobishëm që aftësitë e tij profesionale ua përcolli qindra ushtarëve të tjerë.
Kurti për Tahir Sinanin: S’iu mbivendos zinxhirit komandues pa u përballur me forcat serbe
“Pasi të përfshihej edhe vetë ai në zemër të luftës. Por pavarësisht kësaj, ai refuzoi t’i mbivendosej zinxhirit komandues të ushtarëve që i kishte trajnuar vetë. Duke këmbëngulur që fillimisht ta kalonte një sprovë personale përballjen e parë me forcat armike serbe. Dhe mu kështu edhe ndodhi. Vite më pas kur Tahir Sinani nuk do të ishte më i gjallë mes bashkëluftëtarëve, njëri prej tyre, Rexhep Selimi, i mirënjohur edhe për kreativitetin e tij të shumanshëm artistik, do ta përkthente këtë akt të Tahir Sinanit në një poezi që do të kompozohej në një këngë e që natyrshëm e kemi përfshirë edhe sot në këtë akademi. Angazhimin e tij në luftën e Kosovës, Tahir Sinani e përmbylli duke qenë në detyrën e komandantit të Zonës Operative të Pashtrikut, teksa në ditët e çlirimit të Kosovës, ai hyri triumfalisht në Prizren në krye të ushtarëve të tij”, tha Kurti.
E, në emër të familjes Sinani foli djali i Tahirit, Rrezarti, i cili tha se Tahiri jo vetëm që ishte një prind i dashur, por ishte një udhërrëfyes për veprën dhe sakrificën e tij në shërbim të lirisë së kombit.
Rrezarti tha se kur babai i tij, Tahiri, mori rrugën drejt pavdekësisë, ishin shumë të vegjël për ta kuptuar madhështinë e sakrificës së tij, por me kalimin e viteve, mësuan vlerën dhe kuptimin e atij rrugëtimi.
ImageFoto galeri
Djali i Tahir Sinanit: Sakrifica e dëshmorëve merr kuptim me realizimin e amanetit të tyre, bashkimin kombëtar
“Kuptuam se ai nuk na la pas pasuri materiale, por na la pas trashëgiminë më të çmuar që mund t’i lërë një prind fëmijëve të tij: krenarinë, emrin e pastër, nderin dhe respektin. Këto janë pasuritë që do t’i mbajmë me dinjitet dhe do t’ua përcjellim brezave që vijnë. Ëndrra dhe ideali i dëshmorëve është rruga e larë me gjak, e shtruar me mund, sakrificë dhe vetëmohim. Është rruga që na obligon të ecim deri në fund, pa u ndalur e pa u lëkundur, deri në realizimin e amanetit të tyre më të madh, bashkimin shpirtëror, kombëtar dhe historik të çdo treve shqiptare. Vetëm atëherë sakrifica e tyre do të marrë kuptimin e plotë dhe gjaku i derdhur për liri do të kthehet në dritë për brezat me radhë. Në emër të familjes Sinani, ju falënderojmë përzemërsisht që na nderuat sot me praninë dhe pjesëmarrjen tuaj në këtë përvjetor të shenjtë, përkujtimor. Le të mbetet kjo ditë një dëshmi se historia jonë nuk harrohet dhe se ata që i dhanë gjithçka atdheut do të jetojnë përherë në ndërgjegjen dhe zemrat e popullit shqiptar”.
Në këtë akademi, foli edhe ish-bashkëluftëtari i Tahir Sinanit, Sadik Halitjaha, i cili tha se Tahir Sinani ishte hero i ndryshëm nga të tjerët dhe sipas tij, ishte më i veçanti që mund të krahasohet me heronjtë epikë të kombit shqiptar.
Ish-bashkëluftëtari i Tahir Sinanit: Sigurinë e kishte në zemër pasi e kishte automatikun në dorë
“Ai ishte gjenetikisht stërnip i Mic Sokolit dhe ishte gjak shqiptari. Siç e thoshte edhe vetë: ‘Unë nuk munda të rri e të bëj sehir e të vriteshin vëllezërit e mi në Kosovë’. U përpoq të takojë njerëz nëpër qendrat e trajnimeve në veri të Shqipërisë dhe ra në kontakt me qendrën e furnizimeve të UÇK-së dhe me komandantin e përgjithshëm Azem Syla. Aty mori instruksionet dhe urdhrin për të hyrë në Kosovë. Në Kosovë hyri me një grup jo të madh shumë të ushtarëve që t’i krijojë një perimetër të sigurisë, por ai sigurinë e kishte në zemër dhe në shpirt, pasi e kishte automatikun në dorë. Hyri me Ruzhdi Kryeziun dhe disa shokë të tjerë me përvojë lufte”, tha ai.
Tahir Sinani ishte pjesë e tri luftërave në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë.
