TË FUNDIT

Peci: Paramendoni…çfarë kriminelash! Do t’ju vizatoj ashtu si jeni: lakuriq

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook, duke ngritur akuza për kërcënime ndaj institucioneve dhe përpjekje për të ushtruar presion mbi institucionet e drejtësisë.

Peci ka shkruar se paralajmërimet për gjakderdhje, pretendimet për armatosje dhe kërcënimet ndaj të zgjedhurve të popullit nuk duhet të përdoren për të krijuar, sipas tij, kauza politike apo për të ushtruar presion ndaj drejtësisë përmes studiove televizive.

Ai ka kritikuar gjithashtu atë që e ka cilësuar si përpjekje për të krijuar paralele mes këtyre çështjeve dhe një rasti që lidhet me listën e përfituesve të granteve, ku, sipas tij, përmendet vëllai i një deputeti, por që nuk ka përfituar asnjë cent.

Në reagimin e tij, Peci ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të publikojë të dhëna dhe pretendime të tjera lidhur me krimin e organizuar, abuzimet me pronat dhe zhvatjet që, sipas tij, kanë ndodhur në sektorin e Bujqësisë gjatë kohës kur ai ishte ministër.

“Do t’ju vizatoj ashtu si jeni: lakuriq”, ka shkruar Peci, duke paralajmëruar se do të vazhdojë të flasë publikisht për këto çështje.

Në fund të postimit, ai ka theksuar se nuk ka frikë nga personat ndaj të cilëve drejton kritikat dhe se angazhimin e tij e lidh me mbrojtjen e Kosovës nga ajo që e konsideron keqpërdorim dhe zhvatje të pasurisë së saj.

“Unë e dua këtë Kosovë të bekuar, jo si plaçkë, por si vendi im i shenjtë, që nuk guxon të vidhet, të blihet e të shitet”, ka përfunduar Peci reagimin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *