Pavarësisht kritikave të BE-së, Vuçiq e thotë me krenari: Kurrë nuk do t’i vendosim sanksione Rusisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se vendi i tij mbetet i përkushtuar ndaj rrugës drejt integrimit evropian, por nuk do të ndryshojë qëndrimin për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
“Jemi në rrugën drejt Evropës, mos na largoni prej saj”, ka thënë Vuçiq, duke theksuar se Serbia dëshiron të vazhdojë procesin e integrimit evropian, ndërsa njëkohësisht të ruajë politikën e saj ndaj Moskës.
Ai ka vlerësuar se Serbia deri më tani ka arritur t’i ruajë me sukses vlerat e shoqërisë tradicionale, duke e paraqitur këtë si një nga parimet që udhëheqin politikën e vendit.
Duke folur për raportet me Rusinë, Vuçiq ka përsëritur se Beogradi nuk ka vendosur sanksione kundër Moskës dhe nuk planifikon ta bëjë këtë as në të ardhmen.
“Jemi i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe nuk do të vendosim asnjë sanksion kundër Federatës Ruse”, ka deklaruar presidenti serb.
Qëndrimi i Beogradit për sanksionet ndaj Rusisë mbetet një çështje e rëndësishme në raportet e Serbisë me Bashkimin Evropian.
Pavarësisht synimit për anëtarësim në BE, Serbia nuk është rreshtuar me politikën e sanksioneve të bllokut kundër Moskës pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. /Telegrafi/
