TË FUNDIT

Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, ekspertët kërkojnë reforma në polici e drejtësi

Politologë e njohës të çështjeve sociale kanë kritikuar ministrat Donika Gërvalla e Xhelal Sveçla pas mos dorëheqjes së tyre pavarësisht që raportet vërtetuan dështimin në mbrojtje të Arlinda Zekajt.

Raportet e të dy ministrive që udhëheqin vërtetuan dështim në mbrojtjen e jetës të Arlinda Zekajt.

Por për kërkesat për dorëheqje të Donika Gërvallës e Xhelal Sveçlës, këta të dy përgjigjet i patën të njëjta.

Pavarësisht asaj që u deklarua, politologu Ramiz Ismajli vlerëson se dorëheqja është e nevojshme.

“Të jemi të qartë dhënia e dorëheqjes nuk është automatikisht pranim i fajësisë është çështje kur personat e ndjejnë çështjen e përgjegjësisë apo edhe respektin para qytetarëve çka i bën zonjën Gërvalla dhe Sveçla persona përgjegjës”, ka thënë Ramiz Ismajli, Politolog.

Ai tha se pas këtij dështimi duhet të nisin edhe refomat.

“Ministri Sveçla dhe ministrja Gërvalla nuk duhet ta presin presionin qytetar por dorëheqja duhet të bëhet si akt moral sepse këta nuk i kanë pa ato të meta të sistemit dhe këtu duhet me fillu edhe reforma edhe në sistemin e drejtësisë edhe në sistemi e policisë me kqyr cka nuk shkon, cka duhet të reformohet”, ka thënë Ramiz Ismajli, politolog.

E, sociologu Bekim Selishta thotë që dorëheqja është e domodoshme.

“Vet kryeministri duhet me mendu dorëheqjen sepse kjo është akti moral për këtë situatë, është akti më i vogël për këtë situatë që duhet me tregu përballë kësaj situate që e ka tronditë vendin tonë”, ka thënë Bekim Selishta, sociolog.

Selishta foli edhe për dorëheqjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha.

“Në këtë pozicion ku është zotëri Hoxha është dashur me dhënë dorëheqje i fundit në raport me politikën këtu ne e kemi pa që ka dështu politika edhe vet fjalimi i Donika Gërvallës në kuvend aq më shumë ka bind se duhet me dhënë dorëheqje”, ka thënë Bekim Selishta, sociolog.

Dorëheqjen e dy ministrave po e kërkojnë edhe aktivistë dhe qytetarë që po protestojnë nga e mërkura para institucioneve në kërkim të drejtësisë për Arlinda Zekajn./Tv Dukagjini

– YouTube www.youtube.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *