TË FUNDIT

Pas dy rasteve tragjike në Gjilan, Hyseni kërkon kontrolle më të shpeshta për armëmbajtje pa leje

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka kërkuar rritjen e kontrolleve policore për armëmbajtje pa leje dhe shtimin e prezencës së policisë në shkolla, pas ngjarjeve të fundit tragjike në këtë komunë.

Hyseni ka bërë të ditur se këto kërkesa i ka paraqitur në mbledhjen urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, ku është diskutuar situata e sigurisë në Gjilan.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, ndërsa për rastet e fundit janë dhënë informacione nga drejtori rajonal dhe komandanti i stacionit policor.

“Gjatë mbledhjes kërkova zyrtarisht rritjen e kontrolleve policore për armëmbajtje pa leje dhe shtimin e prezencës së policisë në shkolla për të garantuar sigurinë e fëmijëve tanë”, ka shkruar Hyseni në një postim në Facebook.

Ai ka thënë se institucionet komunale kanë ofruar bashkëpunim të plotë me organet e rendit, ndërsa përfaqësuesit institucionalë janë zotuar për angazhim më të madh në parandalimin e rasteve të tilla.

“Mbrojtja e jetës së qytetarëve tanë mbetet prioriteti ynë kryesor dhe do të punojmë me vendosmëri për të garantuar qetësinë dhe rendin publik në çdo pjesë të Gjilanit”, ka deklaruar Hyseni. / Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *