TË FUNDIT

Pas dëmtimit me Kosovën, mediat turke zbulojnë nëse Muriqi do të jetë gati për Rizesporin

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, pritet të jetë në dispozicion të Fenerbahçes për ndeshjen e radhës në Superligën e Turqisë ndaj Rizesporit.

Muriqi kërkoi zëvendësim gjatë ndeshjes së Kosovës kundër Austrisë, të zhvilluar të dielën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Sulmuesi 32-vjeçar u largua nga fusha në minutën e 66-të, duke ngritur pikëpyetje rreth gjendjes së tij fizike.

Megjithatë, mediat turke raportojnë se gjendja e Muriqit nuk paraqet shqetësim serioz dhe se ai pritet të jetë i gatshëm për duelin e së shtunës ndaj Rizesporit.

Mediumi turk “ Fanatik ” ka raportuar se rikthimi i Marco Asensios dhe paraqitjet e Romelu Lukakut me Belgjikën i kanë shtuar alternativat e Fenerbahçes në repartin ofensiv, ndërsa në këtë grup pritet të jetë edhe Muriqi.

“Rikthimi në fushë i Marco Asensios ka kënaqur stafin teknik, ndërsa performanca e Romelu Lukakut për ekipin kombëtar belg dhe fakti që Vedat Muriqi, i cili u lëndua gjatë grumbullimit të ekipit kombëtar të Kosovës, po luan mirë dhe do të jetë në dispozicion për ndeshjen kundër Rizesporit, kanë rritur alternativat, veçanërisht në vijën sulmuese”, shkruan “ Fanatik ”.

Muriqi po kalon një formë shumë të mirë këtë sezon me fanellën e Fenerbahçes.

Sulmuesi kosovar ka realizuar gjashtë gola në gjashtë ndeshje, duke qenë një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës turke në fazën e parë të sezonit. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *