Paqja mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, në tryezë edhe shkëmbimi i territoreve
Armenia dhe Azerbajxhani po shqyrtojnë mundësinë e shkëmbimit të territoreve si zgjidhje për mosmarrëveshjet rreth enklavave dhe eksklavave përgjatë kufirit mes dy vendeve.
Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, deklaroi se një nga opsionet e diskutuara në kuadër të negociatave për paqe është gjetja e një zgjidhjeje që do të eliminonte enklavat e të dyja palëve.
Sipas tij, një marrëveshje e tillë do të shmangte problemet me të cilat përballen banorët e zonave kufitare, veçanërisht sa i përket lëvizjes dhe kalimit nga njëra anë e kufirit në tjetrën, raportojnë mediat .
Pashinyan theksoi se ende duhet të përcaktohen hollësitë teknike dhe ligjore të marrëveshjes, përfshirë sipërfaqet e territoreve që do të shkëmbeheshin. Ai shtoi se duhet të përcaktohet saktësisht edhe sipërfaqja e Artsvashenit, enklavës armene që ndodhet brenda territorit të Azerbajxhanit.
Një ditë më parë, kryeministri armen kishte deklaruar se territori i vendit të tij, sipas marrëveshjes së paqes, duhet të jetë 29.743 kilometra katrorë dhe se shkëmbimi i mundshëm duhet të bëhet mbi bazën e sipërfaqeve të barabarta.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm armen, Ararat Mirzoyan, bëri të ditur se çdo marrëveshje që do të përfshinte shkëmbimin e territoreve të njohura ndërkombëtarisht si pjesë e Armenisë do të kërkonte mbajtjen e një referendumi.
Mosmarrëveshja lidhet me disa enklava dhe eksklava të mbetura nga periudha sovjetike. Azerbajxhani ka tri enklava brenda territorit të Armenisë, të cilat Jerevani i kontrollon që nga luftimet e fillimit të viteve 1990. Në anën tjetër, enklava armene Artsvashen ndodhet nën kontrollin e Azerbajxhanit që nga viti 1992.
Të dyja vendet po përpiqen të arrijnë një marrëveshje përfundimtare paqeje pas dekadash konflikti. Pashinyan ka deklaruar se synimi është që procesi i paqes të institucionalizohet plotësisht deri në vitin 2031. /Telegrafi/
