Pacolli njofton për pushimin e hetimeve ndaj saj në rastin e granteve: Sot drejtësia fitoi
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se Prokuroria Speciale ka pushuar hetimet ndaj saj lidhur me rastin e granteve në Ministrinë e Bujqësisë.
Përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, Pacolli ka bërë të ditur se është njoftuar zyrtarisht për pushimin e plotë të hetimeve, duke theksuar se kjo, sipas saj, konfirmon deklarimet e saj që nga fillimi i rastit.
Ajo ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë ndikim apo ndërhyrje në ndarjen e granteve nga Ministria e Bujqësisë.
Pacolli ka thënë gjithashtu se gjatë muajve të hetimeve është përballur me, siç i ka cilësuar ajo, shpifje dhe sulme nga përfaqësues të politikës dhe medias.
“Sot drejtësia fitoi!”, ka shkruar Pacolli, duke falënderuar qytetarët që, sipas saj, i kanë besuar integritetit të saj dhe e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe.
