TË FUNDIT

Pa patentë dhe nën alkool: Nëntë shoferë përfunduan në polici

Policia ka regjistruar nëntë raste të drejtimit të pakujdesshëm të automjetit në lokacione të ndryshme të vendit gjatë 24 orëve të fundit, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.

Nëntë shoferë janë privuar nga liria nën dyshimin për drejtim të pakujdesshëm të automjetit. Sipas të dhënave të policisë, gjashtë prej tyre drejtonin automjete pa e dhënë më parë provimin e shoferit.

Bëhet fjalë për tre banorë të Shkupit, të moshës nga 26 deri në 46 vjeç, një 27-vjeçar nga Nikishtani, një 56-vjeçar nga Podlesi dhe një 28-vjeçar nga Drenova, i cili u kap edhe nën ndikimin e alkoolit.

Policia arrestoi edhe një 49-vjeçar nga Koçani dhe një 35-vjeçar nga Kumanova, të cilët drejtonin automjete nën ndikimin e alkoolit.

Rasti i nëntë ka të bëjë me një 21-vjeçar nga Kriva Pallanka, i cili u kap duke drejtuar automjet, ndonëse kishte ndalesë aktive për drejtim.

Nga MPB-ja njoftojnë se, pas dokumentimit të plotë të rasteve, do të parashtrohen kallëzime përkatëse penale.

Ministria u bën apel shoferëve t’i respektojnë rregullat e trafikut dhe të mos drejtojnë automjet pa e dhënë provimin e shoferit, nën ndikimin e alkoolit apo gjatë kohës kur u vlen ndalesa për drejtim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *