POLITIKATË FUNDIT

​OVL-UÇK pas kthimit në Kuvend të Ligjit për Specialen: Thirrje partive të mos bëjnë politikë me këtë ligj

OVL-UÇK reagoi ndaj kthimit në Kuvend në rishqyrtim të Ligjit për Specialen nga presidentja Justina Shiroka-Pula, pas kërkesës së PDK-së.

Kjo organizatë u bëri thirrje të gjitha partive parlamentare që të mos bëjnë politikë me këtë ligj dhe të mos e përdorin atë për interesat e tyre partiake.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së po e përcjell me shqetësim debatin rreth plotësimeve dhe ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Ky ligj ka rëndësi të veçantë për luftën tonë dhe për ish-udhëheqësit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ndaj të cilëve në shkallën e parë është shqiptuar dënim i papranueshëm, i padrejtë dhe krejtësisht politik.

OVL UÇK, u bën thirrje të gjitha partive parlamentare që të mos bëjnë politikë me këtë ligj dhe të mos e përdorin atë për interesat e tyre partiake.

Sipas ekspertëve juridikë që e mbështesin OVL-në e UÇK-së, ligji nuk ka asnjë pengesë juridike dhe miratimi i tij varet vetëm nga vullneti politik”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

Sipaskësaj organizate, edhe përfshirja e çështjes së faljes për krime lufte po cilësohet gabimisht si antikushtetuese, sepse edhe ligji ekzistues për Dhomat e Specializuara, shprehimisht e rregullon çështjen e faljes dhe të zbutjes së dënimit, duke ia lënë këtë kompetencë direkt Kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

“OVL UÇK, vlerëson se tani kur shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës kanë dëshmuar gatishmëri e vullnet të mirë për ta votuar këtë ligj, propozimet për dispozita të reja nuk duhet të shërbejnë si arsye për zvarritjen apo pengimin e procesit.

OVL UÇK, u bën thirrje të gjitha partive politike që, në rast se ligji rikthehet në Kuvend, plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme të bëhen pa vonesa dhe të miratohen me procedurë të përshpejtuar.

Në të kundërtën, OVL UÇK paralajmëron përshkallëzimin e veprimeve dhe protestave në mbrojtje të kërkesave të veteranëve dhe të luftës sonë çlirimtare”, thuhet në reagim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *