TË FUNDIT

OSBE vlerëson përparimin e reformave në drejtësi të ministrit Shasivari (DOKUMENT)

Vlerësimet e shefit të Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadorit Kilian Val, për përkushtimin dhe përparimin e reformave në drejtësi, përbëjnë një vlerësim të rëndësishëm për procesin reformues të udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë.

Në një intervistë për Agjencinë Informative të Maqedonisë (MIA), ambasadori Val ka vënë në pah angazhimin e Qeverisë dhe institucioneve për avancimin e reformave në sektorin e drejtësisë, duke riafirmuar rëndësinë e vazhdimit të këtij procesi.

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, e ka vlerësuar këtë mbështetje dhe njohjen e hapave konkretë që po ndërmerren për transformimin e sistemit të drejtësisë. “Mbështetja e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe vlerësimi i përparimit të reformave janë inkurajim për të vazhduar me më shumë përgjegjësi.

Fokusi ynë nuk është vetëm miratimi i ligjeve të reja, por krijimi i një sistemi drejtësie të pavarur, profesional dhe efikas, ku sundimi i ligjit zbatohet në praktikë”, thekson ministri Shasivari.

Në kuadër të agjendës reformuese, Ministria e Drejtësisë është e përqendruar në përgatitjen e Kodit të ri Penal dhe Ligjit të ri për Procedurën Penale, fuqizimin e institucioneve të drejtësisë, rritjen e përgjegjësisë institucionale dhe forcimin e mekanizmave për luftën kundër korrupsionit.

Sipas ministrit Shasivari, reforma në drejtësi nuk mund të kufizohet vetëm në ndryshime normative, por duhet të prodhojë rezultate konkrete për qytetarët, përmes sigurisë juridike, pavarësisë së institucioneve dhe trajtimit të barabartë para ligjit.

Vlerësimet e OSBE-së vijnë në një periudhë të rëndësishme të zbatimit të agjendës reformuese dhe procesit të integrimit evropian të vendit. Mbështetja dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë mbeten pjesë e rëndësishme e këtij procesi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *