Organizatat myslimane në Zvicër distancohen nga imami shqiptar Bashkim Aliu: Homofobia bie ndesh me parimet tona
Dy organizata të mëdha myslimane në Zvicër janë distancuar publikisht nga imami shqiptar Bashkim Aliu, pas publikimit të deklaratave të tij homofobike dhe raportimeve për pjesëmarrjen në një konferencë në Katar, ku ishte i pranishëm edhe ish-udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh.
Bëhet fjalë për Federatën e Organizatave Islamike të Zvicrës (FIDS) dhe Shoqatën e Organizatave Islame të Cyrihut (VIOZ), të cilat kanë theksuar se qëndrimet e tilla nuk përfaqësojnë parimet dhe vlerat e tyre.
Sipas gazetës zvicerane “SonntagsZeitung”, FIDS ka vendosur ta lirojë menjëherë Aliun nga detyrat e tij si drejtues i Komisionit të Imamëve, ndërsa ai ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në VIOZ, ku mbante përgjegjësinë kryesore teologjike.
“Homofobia ose deklaratat që cenojnë dinjitetin njerëzor bien ndesh me parimet tona”, është qëndrimi i përcjellë nga organizatat, të cilat kanë ritheksuar se imamët duhet t'i kryejnë detyrat e tyre brenda kontekstit shoqëror dhe ligjor zviceran.
Reagimi i tyre erdhi pasi gazeta zbuloi një postim të Bashkim Aliut në Facebook nga viti 2017, në të cilin ai e kishte cilësuar Paradën e Krenarisë në Prishtinë si “paradë turpi”.
Një tjetër çështje që ngriti pikëpyetje ishte pjesëmarrja e tij në një konferencë në Doha të Katarit, në janar të vitit 2024, të organizuar nga Unioni Ndërkombëtar i Dijetarëve Myslimanë. Në të njëjtin aktivitet kishte marrë pjesë edhe Ismail Haniyeh, udhëheqësi i atëhershëm i Hamasit.
FIDS deklaroi se nuk kishte qenë në dijeni për pjesëmarrjen e Aliut në këtë organizim dhe se nuk do të lejonte përfaqësuesit e saj të merrnin pjesë në një aktivitet me një listë të tillë të ftuarish.
Ndërkaq, VIOZ sqaroi se Aliu nuk kishte marrë pjesë në konferencë në emër të saj dhe as me autorizimin e organizatës, duke bërë të ditur se rrethanat e këtij udhëtimi do të shqyrtohen më tej.
Rasti ka marrë vëmendje edhe për shkak të financimit publik të organizatave myslimane në Cyrih.
Sipas “SonntagsZeitung”, VIOZ ka përfituar rreth 2.5 milionë franga nga kantoni i Cyrihut gjatë periudhës 2017–2025 për një projekt të kujdesit shpirtëror mysliman në institucionet publike, ndërsa qyteti i Cyrihut e mbështet organizatën me 50 mijë franga në vit. /Telegrafi/
