Obiliqi kaloi te “Kastrioti”, LDK-ja thotë se “Pastrimi” po vazhdon t’i dërgojë qytetarët në përmbarim
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Obiliq ka ngritur shqetësimin për faturimin e shërbimit të mbledhjes së mbeturinave në këtë komunë, duke pretenduar se KRM “Pastrimi” po vazhdon t'u dërgojë qytetarëve fatura dhe raste të borxheve në përmbarim, ndonëse nga 1 qershori 2026 ky shërbim ka kaluar në përgjegjësi të NPL “Kastrioti”.
Përmes një reagimi publik, LDK-ja në Obiliq ka thënë se qytetarët kanë mbetur në paqartësi se cilit institucion duhet t'i drejtohen për këtë shërbim dhe se kush ka të drejtë t'i faturojë.
Sipas kësaj partie, po paraqiten raste kur qytetarët për një borxh prej 12 eurosh përfundojnë duke paguar deri në 100 euro, si pasojë e procedurave përmbarimore.
“Komuna thotë se KRM ‘Pastrimi’ nuk është më kompetente për këtë shërbim, ndërsa në anën tjetër, ‘Pastrimi’ vazhdon t'u dërgojë qytetarëve fatura dhe madje t'i çojë te përmbaruesi, për më tepër pa asnjë paralajmërim”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Kjo çështje lidhet me ndryshimin e organizimit të shërbimit të mbledhjes së mbeturinave në Obiliq, i cili nisi më 1 qershor 2026.
Atë ditë, kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, kishte njoftuar se KRM “Pastrimi” e kishte përfunduar operimin në këtë komunë dhe se mbledhja e mbeturinave do të kryhej nga ndërmarrja lokale NPL “Kastrioti”.
Thaçi kishte bërë thirrje që qytetarët, nga kjo datë e tutje, pagesat për shërbimin e mbeturinave t'i kryenin te NPL “Kastrioti” dhe jo më te KRM “Pastrimi”.
Megjithatë, kryetari kishte sqaruar se obligimet e mëhershme financiare ndaj KRM “Pastrimi” nuk anuloheshin dhe se qytetarët që kishin borxhe për faturat e periudhës së mëparshme duhej t'i paguanin ato.
Edhe NPL “Kastrioti”, përmes një njoftimi zyrtar, kishte bërë të ditur se në bazë të marrëveshjes me Komunën e Obiliqit ishte operatori përgjegjës për mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave, ndërsa faturimi dhe inkasimi i pagesave për shërbimin nga qershori 2026 do të kryhej vetëm nga kjo ndërmarrje.
Në reagimin e saj, LDK-ja kërkon që institucionet të sqarojnë se kujt u detyrohen qytetarët, për cilën periudhë janë obligimet financiare dhe kush ka të drejtë t'i faturojë ata. / Telegrafi /
