Nuk ia lëshoi rrugën ambulancës për 6 kilometra, 36-vjeçari në Gjermani dënohet me mbi 13 mijë euro gjobë
Një 36-vjeçar në Augsburg të Gjermanisë është dënuar me 13 mijë e 500 euro gjobë, pasi, pengoi për rreth gjashtë kilometra një automjet të urgjencës mjekësore, duke vonuar mbërritjen e mjekut te pacienti për pesë minuta. Sipas 20Minuten , që citoi mediat gjermane, burri nuk i hapi rrugë automjetit të urgjencës, pavarësisht se ai po lëvizte me dritat sinjalizuese dhe sirenën e aktivizuar në autostradën B17, transmeton Telegrafi. Në vend që të largohej për t’i mundësuar kalimin ekipit mjekësor, 36-vjeçari vazhdoi të qëndronte përpara tij, duke shpërfillur sinjalet e urgjencës. Sipas prokurorisë, ai dyshohet se e shfrytëzoi situatën për të ecur më shpejt në trafik dhe për t’u hapur rrugë vetes. Gjykata e Qarkut në Augsburg e shpalli 36-vjeçarin fajtor për detyrim me forcë dhe pjesëmarrje në një garë të ndaluar me automjet. Përveç gjobës prej 13 mijë e 500 eurosh, gjykata vendosi t’ia heqë patentën e shoferit. Ai nuk mund të aplikojë për një patentë të re para se të kalojnë të paktën dy vjet. Dënimi përbëhet nga 180 njësi ditore prej 75 eurosh secila. Megjithatë, vendimi nuk është ende i formës së prerë. Rasti ka rikthyer vëmendjen te rëndësia e lirimit të rrugës për automjetet e emergjencës, pasi çdo vonesë mund të ndikojë në trajtimin e pacientëve në gjendje kritike./Telegrafi/
