TË FUNDIT

“Nuk është finale”, Pedri e mban Barcelonën me këmbë në tokë para PSG-së

Pedri beson se kontrolli i posedimit të topit mund të jetë vendimtar në përballjen mes Barcelonës dhe Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve, por thekson se katalunasit nuk e shohin këtë ndeshje si një finale.

Barcelona udhëton drejt Parisit për një përballje të rëndësishme evropiane ndaj PSG-së, ku pritet një duel i fortë mes dy skuadrave, veçanërisht në mesfushë.

Pavarësisht rëndësisë së takimit, mesfushori spanjoll kërkon që ekipi të mbetet i përqendruar dhe të mos e konsiderojë këtë ndeshje si vendimtare për fatin e garës.

“E shohim si një ndeshje shumë të vështirë dhe duam të fitojmë, por nuk e konsiderojmë finale. Ka ende shumë rrugë deri në fund”, u shpreh Pedri.

Ai theksoi gjithashtu se Barcelona synon ta vazhdojë serinë e mirë të rezultateve, ndonëse përballë do të ketë një kundërshtar të nivelit të lartë.

“Duam ta vazhdojmë formën tonë të mirë ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Do ta shohim se ku qëndrojmë në Evropë”, shtoi mesfushori i Barcelonës.

Pedri pret një përballje intensive në mesfushë, duke vlerësuar se të dyja skuadrat mund të hasin vështirësi kur nuk e kanë topin në zotërim.

Sipas tij, kontrolli i lojës përmes posedimit mund të bëjë diferencën në këtë takim, ndërsa Barcelona hyn në përballje me besim të madh, falë formës së mirë që po kalon.

“Pres një betejë të madhe. Mendoj se të dyja mesfushat kanë vështirësi kur nuk e kanë topin”, deklaroi ai.

“Kushdo që e kontrollon posedimin do ta vendosë fatin e ndeshjes. Jemi në formë shumë të mirë dhe kemi besim se mund ta bëjmë këtë”, përfundoi Pedri. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *