TË FUNDIT

Noel Fielding reagon pas dënimit të Russell Brand për përdhunim: Jam i tmerruar dhe thellësisht i shqetësuar

Komediani dhe prezantuesi britanik, Noel Fielding, ka reaguar pas dënimit të ish-bashkëpunëtorit të tij, Russell Brand, për përdhunim dhe sulme seksuale, duke deklaruar se ishte i tronditur nga krimet për të cilat ai u shpall fajtor.

Fielding, 53 vjeç, i cili kishte bashkëpunuar për vite me Brand në programe televizive dhe radiofonike, tha se nuk kishte qenë në dijeni të veprimeve të tij dhe se marrëdhënia mes tyre kishte qenë kryesisht profesionale.

“Isha i tmerruar dhe thellësisht i shqetësuar kur mësova për krimet e Russell Brand, për të cilat nuk isha aspak në dijeni derisa u bënë publike. Mendimet e mia janë me gratë, guximi i të cilave e çoi atë para drejtësisë”, deklaroi ai për The Sun.

Prezantuesi i The Great British Bake Off shtoi se, megjithëse ishin shfaqur së bashku në televizion, radio dhe aktivitete bamirësie, nuk kishte pasur kontakte me Brand prej shumë vitesh.

Ai kërkoi gjithashtu falje për shakatë e papërshtatshme që kishte bërë me komedianin në të kaluarën, disa prej të cilave janë rikthyer në vëmendje pas vendimit gjyqësor.

Mes tyre është një video nga emisioni Big Fat Quiz i vitit 2007, ku Fielding dhe Brand bënin shaka për përdhunimin në prani të këngëtares Lily Allen. Kjo e fundit më vonë e kishte cilësuar shkëmbimin e komenteve si “vërtet të tmerrshëm”.

“Duke parë disa nga shakatë që bëra me të, u tmerrova. Ishin të tmerrshme dhe të papërshtatshme, dhe më vjen shumë keq për to”, u shpreh Fielding.

Brand, 51 vjeç, sipas raportimit të Daily Mail, u dënua të hënën me dhjetë vjet e gjashtë muaj burg për një rast përdhunimi dhe tri sulme seksuale. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *