TË FUNDIT

“Njerëzit e Kurtit”, “Agjentët serbë”, si po ngrihen këto narrativa?

Protestat në Shqipëri janë shoqëruar edhe me një tjetër betejë, informative, mbi pyetjen se kush qëndron pas tyre.

Në media dhe rrjetet sociale janë shfaqur paralelisht pretendime se protestat po ushqehen nga njerëz të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Pretendime se aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë ardhur në Shqipëri për rrëzimin e qeverisë Rama.

Por edhe pretendime se persona të lidhur me shërbimet sekrete serbe po tentojnë të hyjnë nga Kosova për t’u infiltruar në protestë, shkruan faktoje.al .

Edhe deklarata e një studenti shqiptar se komunikonte me kolegë në Serbi për format e organizimit të protestave është përdorur për të ngritur pikëpyetje mbi një “manual” serb.

Nga “simpatizant” në “militantë të Kurtit”

Një nga rastet që ushqeu më së shumti narrativën lidhet me Driton Bytyqin dhe Enes Sopin, dy të rinj nga Prishtina të shoqëruar gjatë protestave.

Një procesverbal policor i publikuar në media tregon se Bytyqi deklaroi se kishte ardhur nga Prishtina së bashku me mikun e tij për të marrë pjesë në protestë.

Ai tha se punonte si kamerier dhe se ishte simpatizant i Albin Kurtit dhe politikave të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në deklarimin e publikuar ai shprehej gjithashtu se dëshironte rrëzimin e qeverisë Rama dhe vendosjen e një qeverie më pranë politikave të Vetëvendosjes.

Por në disa publikime, cilësimi ndryshoi.

Dy të rinjtë u quajtën “militantët e arrestuar të Kurtit”, ndërsa prania dhe bindjet e tyre politike u përdorën si argument për një rol më të gjerë të Vetëvendosjes në protesta.

“Policia ‘zbulon agjentët e huaj”?

Në një tjetër titull u përdor formulimi “Policia ‘zbulon agjentët e huaj”?, ndonëse materiali i publikuar nuk dokumentonte lidhje të tyre me ndonjë shërbim inteligjence apo strukturë shtetërore.

Në konferencën zyrtare të 16 tetorit, Policia e Shtetit raportoi 127 arrestime dhe 244 procedime në Tiranë, si dhe hetime nga Krimi Kibernetik dhe Antiterrori për kanale që shpërndanin thirrje kriminale e ekstremiste.

Megjithatë, në këtë komunikim publik Policia nuk identifikoi Albin Kurtin, Vetëvendosjen, Kosovën apo Serbinë si organizatorë të protestave.

“Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje”

Faqja Kosova365 shkruante se “aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje” po merrnin pjesë në protestat në Shqipëri.

Por në të njëjtin postim, prova e sjellë ishte deklarimi i njërit prej të rinjve se ishte simpatizant i Kurtit dhe politikave të Vetëvendosjes.

Në një tjetër reagim, Vladimir Qose shkoi më tej, duke akuzuar kryeministrin e Kosovës se po ndërhynte në çështjet e brendshme të Shqipërisë.

Ai shkruante se Albin Kurti “nuk mund të dërgojë njerëz këtu” dhe fliste për “puthadorët” e tij.

Por postimi nuk sillte prova se të rinjtë apo persona të tjerë në protestë kishin ardhur me urdhër të Kurtit.

Narrativa mori një tjetër shtysë më 18 tetor, kur kamerat e Euroneës Albania filmuan në Tiranë Venhar Isufin.

Nacionale e identifikoi atë si zëdhënës të ministrit të Bujqësisë së Kosovës, Armend Muja.

Vetë Isufi reagoi se prej rreth një muaji e gjysmë nuk ishte më pjesë e kabinetit. Ai deklaroi se kishte ardhur në Tiranë “për qef, me nipa”, ndërsa shtoi se ndodhej aty edhe si gazetar.

Radhët në Morinë dhe “agjentët serbë”

Ndërkohë, të njëjtat protesta prodhuan edhe një narrativë pothuajse në drejtimin e kundërt.

Një postim i Ting News tregonte automjete në radhë në pikën kufitare të Morinës me titullin: “Serb të Kosovës nisen në Shqipëri për të përshkallëzuar trazirat.”

Në tekst pretendohej se “informacione të përcjella në redaksi” ngrinin dyshime se mes personave që hynin nga Kosova kishte individë të lidhur me shërbimet sekrete serbe dhe se ata mund të synonin infiltrimin në protestat e Tiranës.

Postimi, megjithatë, nuk paraqiste emra, dokumente, të dhëna policore apo deklaratë të ndonjë institucioni që ta mbështeste akuzën. Paraqiste vetëm një foto.

Fotografia e gjeneruar me AI

Fotografia e kolonës së automjeteve me targa Serbe duke hyrë në Morinë, rezulton 77% e gjeneruar me AI sipas AI or NOT.

Këtë e ka verifikuar edhe organizata Hibrid.info në Kosovë.

Edhe vetë kolonat në Morinë nuk janë fenomen që nisi me protestat.

Më 1 tetor, pothuajse dy javë para protestës së 13 tetorit, ishte raportuar rikthimi i kontrolleve kufitare dhe krijimi i radhëve në Morinë. Sipas raportimit, regjimi sezonal parashikonte kontrolle gjatë periudhës 1-31 tetor, pas kalimit të lehtësuar gjatë muajve të verës.

Një tjetër degë e narrativës u krijua pas deklaratës së një studenti shqiptar në emisionin “Breaking” të Euronews Albania.

Studenti tha se kishte ndjekur protestat në Serbi dhe se kishte miq studentë atje me të cilët qëndronte në kontakt për organizimin dhe format e përdorura gjatë protestave.

Shumë media e ripaketuan me tituj dhe narrativa si:

“Protesta shqiptare me ‘manual’ nga Serbia?”

Studenti nuk tha se merr udhëzime nga qeveria serbe, ndonjë parti politike apo shërbim sekret.

Deklarata u përdor edhe nga Bedri Zyberaj në një reagim kritik ndaj protestuesve, ku ai ironizonte kontaktet me kolegët në Serbi dhe përmendte qëndrimet serbe ndaj Kosovës.

Një narrativë që kishte nisur më herët

Korniza që e lidh Albin Kurtin me protestat në Shqipëri nuk u shfaq për herë të parë në tetor.

Në qershor 2026, gjatë një valëve të protestave të revolucionit flamingo në Tiranë, në Facebook u shpërnda një video me pretendimin se turma po brohoriste:

Verifikimi i Faktoje tregoi se pretendimi ishte i pavërtetë. Protestuesit në video thoshin “Ju erdhi fundi”, jo “Duam Albin Kurtin”.

Në të njëjtën periudhë u ngrit edhe pyetja nëse Kurti po organizonte qytetarët nga Kosova që merrnin pjesë në protestë.

Edhe raportimet që trajtonin këtë debat theksonin se dyshimet për koordinim politik nuk ishin konfirmuar zyrtarisht.

Në mungesë të provave për këto hallka, pretendimet për një “dorë të huaj” që drejton protestat mbeten të pambështetura. /faktoje.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *