TË FUNDIT

Një muaj paraburgim për të dyshuarin për grabitjen e rreth 8 mijë eurove në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj të pandehurit me inicialet Ç. Zh., i dyshuar për veprën penale të grabitjes.

Sipas njoftimit të gjykatës, vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ndërsa gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase.

Sipas kërkesës së prokurorisë, rasti ka ndodhur më 10 tetor 2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Anton Çeta” në Gjakovë, në një lokal të identifikuar si “R. M. T.”.

I dyshuari, i cili dyshohet se ishte i maskuar, ka hyrë në lokal dhe, nën kërcënimin e një thike, i ka kërkuar punëtores t’ia dorëzojë të gjitha paratë. Më pas, ai dyshohet se e ka hapur dollapin ku mbaheshin paratë dhe ka marrë rreth 8 mijë euro.

Sipas prokurorisë, pas grabitjes, i dyshuari i ka thënë punëtores që të mos e shikonte në fytyrë dhe është larguar nga lokali me paratë.

Masa e paraburgimit do të zgjasë nga 15 tetori deri më 15 nëntor 2026. Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

I pandehuri prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *