Një muaj paraburgim për pesë shtetas turq, e plagosën me nëntë goditje thike, e futën në thes dhe e mbajtën peng për 10 orë një person
Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar nga një muaj paraburgim për pesë shtetas turq, të dyshuar për sulm fizik, plagosje me thikë dhe privim të kundërligjshëm të lirisë së një personi.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, të pandehurit e kanë sulmuar viktimën, duke i shkaktuar nëntë plagë shpuese-prerëse, më pas e kanë futur me forcë në një furgon dhe e kanë mbajtur të mbyllur për rreth 10 orë në një shtëpi private në Prishtinë.
Njoftimi i plotë: Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, Gjyqtari i procedurës paraprake, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit, dhe ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datë 09 respektivisht 10 dhjetor 2026, për të pandehurit: M.D., M.D.G., S.K., R.O., dhe M.P., (që të gjithë shtetas të Republikës së Turqisë), për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale: Lëndim i lehtë trupor nga neni 185 par. 2 lidhur me par. 1 dhe neni 31 të KP-së Shtrëngimi nga neni 192 par. 2 lidhur me nën par. 2.1 e 2.2 dhe nenin 32 të KP-së. Privimi i Kundërligjshëm i lirisë nga neni 193 par. 4 lidhur me par. 2 nën par. 2.5 e lidhur me nenin 31 të KP-s. Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: Sipas dispozitivit të kërkesës së Prokurorisë së Shtetit, më datë 01.11.2026, rreth orës 07:20, në Prizren, të pandehurit e lartcekur, me dashje dhe në bashkëkryerje, fillimisht i kanë bllokuar rrugën të dëmtuarit S.B. me një automjet furgon, e kanë ndjekur dhe e kanë sulmuar fizikisht, të njëjtit e kanë goditur me grushte, shqelma ndërsa dyshohet se ndaj tij janë përdorur edhe mjete të mprehta, përkatësisht thika, duke i shkaktuar nëntë plagë shpuese-prerëse, për çka i njëjti ka kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Menjëherë pas sulmit, të pandehurit e kanë futur me forcë të dëmtuarin në furgon, ia kanë vendosur një thes në kokë dhe e kanë transportuar në një shtëpi private në lagjen në Prishtinë. Aty e kanë mbajtur të mbyllur kundër vullnetit të tij për rreth dhjetë (10) orë, duke e kanosur me thika dhe duke ushtruar dhunë e presion të vazhdueshëm me qëllim që ta detyrojnë të ndërpresë aktivitetin e tij punues në ndërtimin e objekteve të një kompanie në Prizren, t’i largojë punëtorët dhe të largohet nga territori i Republikës së Kosovës. Rreth orës 17:00–17:30 të së njëjtës ditë, të pandehurit e kanë kthyer të dëmtuarin në Prizren, po ashtu me thes në kokë, dhe e kanë lënë në rrugë. Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh provat materiale dhe shkresat që i janë bashkëngjitur dosjes së Prokurorisë me rastin e parashtrimit të kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, të cilat e arsyetojnë dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohet. Duke marrë parasysh se të dyshuarit janë shtetas të huaj, dhe me punë të përkohshme në Republikën e Kosovës, ekziston rreziku se me lënien në liri, të njëjtit do të arratisen dhe të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë, në këtë mënyrë do të pengohej rrjedha normale e procedurës hetimore. Gjithashtu me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka vlerësuar se me lënien në liri, të pandehurit mund të ndikojnë tek i dëmtuari, dhe dëshmitarët eventual me qëllim të pengimit të rrjedhës së procedurës hetimore, dhe ky rrezik mbështetet në mënyrën se si dyshohet të ketë vepruar të pandehurit në bashkëkryerje, prandaj edhe është vlerësuar se paraburgimit në këtë fazë të procedurës është i domosdoshëm. Gjykata ka vlerësuar pretendimet e palëve në seancën dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë, por ka vlerësuar se asnjëra nga masat e tjera alternative nuk janë të mjaftueshme, në radhë të parë në ndalimin e rrezikut të arratisjes të të pandehurve, ndikimin te i dëmtuari apo përsëritjen e veprave penale, prandaj masa e paraburgimit ndaj të pandehurve në këtë fazë është më adekuate për mbarëvajtjen e procedurës hetimore/paraprake.
