TË FUNDIT

Një mbretëreshë kuqezi! Lara Colturi pushton kreun e Kupës së Botës në ski alpine

Historia e sportit shqiptar po njeh një kapitull të ri dhe të paimagjinueshëm deri pak kohë më parë, teksa 19-vjeçarja Lara Colturi ka arritur të ngjitet në majën e klasifikimit të përgjithshëm të Kupës së Botës në ski alpine. Me një qëndrueshmëri mbresëlënëse që në nisje të sezonit, skiatorja që mbron ngjyrat kuqezi ka siguruar podiumin e dytë radhazi, duke e shndërruar Shqipërinë në një protagoniste të dorës së parë në elitën botërore.

Pas suksesit të tre javëve më parë në Sölden të Austrisë, ku zuri vendin e dytë, Colturi përsëriti të njëjtën paraqitje brilante edhe në pistën e ngrirë të Levit në Finlandë, në disiplinën e slalomit. Me një zbritje të kontrolluar dhe plot teknikë, ajo ndali kronometrin në kohën 1 minutë, 53 sekonda e 5 të qindtat, duke lënë pas konkurrente me përvojë të gjatë, mes të cilave austriakja Katharina Truppe që kompletoi podiumin në vendin e tretë. E vetmja që arriti ta parakalonte talenti kuqezi ishte gjermania Emma Aicher, e cila regjistroi kohën 1:52.62.

Pesha e këtij rezultati në Finlandë kapërcen kufijtë e një medaljeje të zakonshme, pasi 80 pikët e arkëtuara në Levi e çojnë Lara Colturin në kuotën e 160 pikëve pas dy etapave të para, duke e vendosur atë në krye të renditjes së përgjithshme botërore, në barazi të plotë pikësh me vetë Emma Aicher.

Ky start i jashtëzakonshëm konfirmon se prania e Colturit mes më të mirave të globit nuk është më një surprizë kalimtare, por tregues i një pjekurie sportive që e projekton atë si një pretendente reale për trofetë më të rëndësishëm të skive alpine gjatë këtij sezoni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *