TË FUNDIT

NJË FRAZË MUZIKORE

Poezi nga: Mahmoud Darwish Përktheu (nga anglishtja): Agron Shala

Një poet tani, e jo unë, shkruan poezi mbi shelgun e erës së largët. E përse trëndafili në mur vesh petale të reja?

Një djalë tani, e jo ne, e lëshon pëllumbin të fluturojë lart, drejt tavanit të reve. E përse pylli shkund gjithë këtë borë rreth një buzëqeshjeje?

Një zog tani, e jo ne, mbart një letër nga toka e gazelës drejt kaltërsisë. E përse gjuetari hyn në skenë dhe lëshon shigjetën e tij?

Një burrë tani, e jo ne, lan hënën dhe ecën mbi kristalin e lumit. E përse ngjyra bie mbi tokë dhe ne jemi të zhveshur si pemët?

Një i dashuruar tani, e jo unë, e fshin dashurinë e tij në baltën e burimeve pa fund. E përse selvia qëndron këtu si roje te porta e kopshtit?

Një kalorës tani, e jo unë, ndal kalin e tij dhe dremit nën hijen e dushkut. E përse të vdekurit dynden drejt nesh nga muri dhe dollapi?

( Darwish, Mahmoud . A Music Sentence. If I Were Another . [përkth.] Fady Joudah. New York : Farrar, Straus and Giroux, 2009. fq. 21-22)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *