Një film skocez mund ta rrëmbejë kurorën e “filmit të parë me zë në botë”
I shkruar prej skocezëve, Derisa të bien kambanat [ Till the Bells Ring ] pati premierën një vit përpara filmit të Holivudit në të cilin Al Jolsoni shqiptonte fjalë.
Nga: Eve Livingston / The Guardian (titulli: Scottish film could steal The Jazz Singer’s crown as ‘world’s first talkie’ ) Përkthimi: Telegrafi.com
Për gati një shekull, Këngëtari i xhazit [ The Jazz Singer ] është cilësuar si filmi i parë artistik me metrazh të gjatë në botë që përmbante dialog të sinkronizuar (i njohur si “film me zë”), ndërsa anglishtja si gjuha e parë e kinemasë. Por, një zbulim i rastësishëm kërcënon ta përmbysë historinë e filmit, me lajmin se mund t’ia ketë marrë këtë titull plot një vit më herët një film i realizuar në Glasgou dhe i shkruar në gjuhën skoceze.
Zbulimin e bëri historiani dhe “maniaku i filmit”, siç e quan vetë veten Marc David Jacobs, i cili po kryente kërkime për një libër mbi valën e parë të filmave britanikë me zë kur hasi në historinë e Derisa të bien kambanat .
Filmi artistik 46-minutësh, me pjesë të folura dhe zë të sinkronizuar gjatë gjithë rrjedhës, pati premierën në Edinburg në tetor 1926, një vit përpara se Këngëtari i xhazit , me Al Jolsonin në rol kryesor, të shfaqej në kinematë e Nju-Jorkut mes bujës së madhe dhe të zinte vendin e tij në librat e historisë.
“Ky ishte fillimi i asaj që ne do ta konsideronim film modern”, tha Jacobs. “Në atë kohë ishte një formë krejtësisht e re arti dhe, sikur të ishte përqafuar në Britani, mund të kishim pasur një histori vërtet alternative të kinemasë ku amerikanët nuk do ta kishin marrë kontrollin dhe nuk do të kishin krijuar një epërsi kaq të madhe”.
Krijim i dramaturgut skocez Graham Moffat, Derisa të bien kambanat është komedi familjare e vendosur në Glasgou dhe e interpretuar nga trupa shëtitëse gjashtanëtarëshe e Moffatit, ku përfshiheshin gruaja e tij Margaret, dhe vajza Winifred, në atë që ai e quante lowland braid Scots : një term për dialektin skocez në gjuhë të thjeshtë, me prejardhje nga Skocia qendrore dhe jugore.
Graham Moffat e bëri regjinë dhe luajti në “Derisa të bien kambanat” përkrah gruas së tij, Maggie. Libraria Britanike
Në atë kohë u reklamua si një “superfilm me zë … mbi jetën familjare viktoriane” dhe, në premierën e tij, u çmua si një moment historik i kinemasë. Edinburgh Evening News shkroi në një recension: “As Amerika nuk ka tentuar ndonjëherë një vepër të tillë … Sinkronizimi mes imazhit në ekran dhe dialogut në gjuhën skoceze, të shqiptuar prej figurave në ekran, ishte aq i përsosur sa fare mirë mund të mendoje se po dëgjoje një version të mirëfilltë skenik të komedisë”.
Por, Jacobsi tha se filmi u harrua shpejt. “Kjo përshtatet në një rrëfim më të gjerë për kinemanë britanike, e cila është lënë pas dore në mënyrë të veçantë”, tha ai. “Mendoj se, sikur të ishte vlerësuar si një prodhim qartësisht skocez, mund të kishte mbijetuar ose të ishte zbuluar deri tani. Por, ai ka përfunduar nën kategorinë e kinemasë britanike dhe nuk ekziston ndonjë ndjesi e vërtetë se historia e kinemasë britanike ia vlen në fakt të shqyrtohet”.
Në atë kohë filmi u reklamua si një “superfilm me zë” Foto: Biblioteka Kombëtare e Skocisë
Nuk ka asnjë dëshmi se filmi është shfaqur ndonjëherë përsëri publikisht pas shfaqjeve të tij njëjavore në teatrin [Poole’s Synod Hall] e Edinburgut, aty ku sot ndodhet teatri “Traverse” i qytetit. Moffat vdiq në vitin 1951 pa realizuar më kurrë një film tjetër.
Ndër zbulimet e Jacobsit është fakti se dy nga bobinat e filmit, që përbëjnë më shumë se gjysmën e kohëzgjatjes së tij, ruhen në Arkivin Kombëtar të BFI-së në Hertfordshir, por nuk janë shfaqur asnjëherë qëkur u morën nga arkivi më shumë se 50 vjet më parë. Meqë këtë vit shënohet njëqindvjetori i filmit, Jacobs shpreson se kjo do të ndryshojë.
