Një emision televiziv ia ndryshon fatin, amerikani fiton lotarinë
Një banor i Karolinës së Jugut në SHBA ka fituar 200 mijë dollarë në lotari, pasi vendosi të blinte dy bileta të frymëzuara nga emisioni i tij i preferuar televiziv, “The Price is Right”.
Fituesi, i cili jeton në rajonin Midlands, ka treguar se kishte blerë dy bileta të lotarisë “The Price is Right” në dyqanin K D, në rrugën South Palmer në Ridgeway.
“Më pëlqen ta shikoj këtë emision”, ka thënë ai, duke shpjeguar arsyen pse kishte zgjedhur pikërisht këto bileta.
Fati i buzëqeshi kur njëra prej dy biletave rezultoi fituese e çmimit prej 200 mijë dollarësh.
Megjithëse nuk ka zbuluar nëse ka ndonjë plan të menjëhershëm për shpenzimin e parave, fituesi ka pranuar se kjo shumë ka sjellë ndryshime në jetën e tij. /Telegrafi/
