Nis seanca e radhës në rastin e spiunazhit, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi të akuzuar për lidhje me BIA-n serbe
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi akuzohen për spiunazh.
Muharrem Qerimi, përveç veprës penale të spiunazhit, akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të ngritur më 19 shkurt 2025, të dy të akuzuarit dyshohet se kanë mbledhur dhe përcjellë informacione e dokumente te Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarët e saj dhe institucionet e sigurisë së Kosovës.
Në aktakuzë përfshihen edhe pretendimet për informacione që lidhen me masakrën e Reçakut dhe Spitalin Ushtarak të UÇK-së në Mollopolc të Shtimes. Të dy të akuzuarit janë arrestuar më 5 qershor 2024. Pretendimet e aktakuzës mbeten akuza që do të shqyrtohen nga gjykata.
