Nis numërimi i votave të mërgatës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur numërimin e votave të diasporës. Për zgjedhjet e 7 qershorit, rreth 104 mijë e 500 qytetarë ishin regjistruar për të votuar përmes postës, ndërsa në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës në mbarë botën votuan 22 mijë e 414 persona.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri të enjten ka përfunduar procesi i verifikimit dhe numërimit në 35 qendra komunale të numërimit, ndërsa numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara, që u përkasin të gjitha QKN-ve, ka arritur në 2 mijë e 271.
“Qendrat Komunale që ende nuk e kanë përmbyllur aktivitetin janë qendra komunale në Gjilan, Prizren dhe Prishtinë. Pra, nga numëri i përgjithshëm prej 38 qendra komunale në 35 prej tyre ka përfunduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime të dielën”, deklaroi Elezi para gazetarëve.
Interesimi i diasporës për këto zgjedhje ishte i lartë, ndërsa në Kosovë pjesëmarrja e qytetarëve në votime u vlerësua si një nga më të ulëtat ndonjëherë.
