Nga pjesët e veturave te dronët, furnizuesit gjermanë orientohen drejt mbrojtjes – ndërsa kriza në sektorin e automobilave thellohet
Prodhuesit gjermanë të pjesëve për vetura po orientohen gjithnjë e më shumë drejt industrisë së dronëve, mbrojtjes dhe hapësirës, ndërsa kriza në sektorin automobilistik po thellohet.
Një kompani familjare në Bavari, Jopp, tashmë ka kapacitet të prodhojë deri në 1,000 dronë vëzhgimi në muaj, në përpjekje për të ulur varësinë nga industria e veturave.
Kompania, e cila ndodhet në një nga qendrat tradicionale të prodhimit të veturave në Gjermani dhe në një rajon ku po shtohen ndërmarrjet e reja të mbrojtjes, e shqyrtoi këtë mundësi teksa po i afrohej fundit kontrata me Porsche për sistemet e transmisionit.
Tani Jopp prodhon dronë për kompaninë e re gjermane të mbrojtjes Highcat, e cila ua shet ata klientëve të ndryshëm, përfshirë ushtrinë, policinë dhe shërbimet zjarrfikëse, transmeton Telegrafi.
Kjo marrëveshje është pjesë e planit të Jopp për të zvogëluar pjesëmarrjen e industrisë automobilistike në shitjet e saj nga 85 për qind sa është aktualisht, në 60 për qind deri në vitin 2035.
Industria gjermane e veturave, dikur dominuese në tregjet ndërkombëtare, po përballet me vështirësi për shkak të konkurrencës së fortë nga Kina dhe vende të tjera, tarifave të larta amerikane dhe shitjeve të dobëta në Evropë.
Sipas kompanisë konsulente EY, sektori ka humbur më shumë se 140 mijë vende pune në Gjermani që nga viti 2019, apo rreth një në gjashtë vende pune.
Kjo situatë ka bërë që gati 80 për qind e furnizuesve gjermanë të industrisë automobilistike të kërkojnë mundësi rritjeje në sektorë të tjerë, sipas një ankete të kompanisë Roland Berger të publikuar vitin e kaluar. Ndër fushat më të synuara janë mbrojtja, industria hapësinore dhe teknologjia mjekësore.
Kalimi në prodhimin e dronëve i mundëson Jopp të paktën të ruajë numrin aktual të punonjësve, tha për AFP-në drejtori menaxhues i kompanisë, Martin Buechs.
“Në një moment shpresoj të kemi mundësi të zgjerohemi sërish, por tani për tani synimi është të ruajmë vendet e punës që kemi”, deklaroi ai.
Kompania aktualisht ka rreth 1,400 punonjës, nga afërsisht 2,000 sa kishte gjashtë vjet më parë, ndërsa dy fabrika janë mbyllur.
Buechs tha se Jopp kishte pasur sukses në sigurimin e kontratave të reja në industrinë automobilistike, por shumë projekte tani po shtyhen deri në dy vjet, ndërsa klientët po porosisin sasi dukshëm më të vogla.
Jopp nuk është e vetmja kompani që po ndryshon drejtim.
Edhe Schaeffler, një prodhues shumë më i madh gjerman i komponentëve për vetura dhe industri, i cili planifikon të shkurtojë mbi 8,000 vende pune, ka lidhur partneritete për të hyrë në tregje të reja.
Në maj, Schaeffler njoftoi se do të prodhojë pjesë për anije kozmike në bashkëpunim me kompaninë amerikane të të dhënave satelitore Spire Global. Të dyja kompanitë thanë se në të ardhmen mund të bashkëpunojnë edhe në prodhimin masiv të satelitëve.
Ndërsa në qershor, Schaeffler prezantoi planet për të prodhuar dronët sulmues Damocles, të projektuar nga kompania franceze Delair, si dhe dronët interceptues Aspik, të krijuar për të neutralizuar dronët armiqësorë.
Drejtori ekzekutiv i Schaeffler, Klaus Rosenfeld, paralajmëroi këtë muaj se industria evropiane e veturave po përballet me “një rënie të vazhdueshme”, duke shtuar se nuk pret që kjo situatë të përfundojë së shpejti.
Megjithatë, sipas ekspertit të industrisë automobilistike në Roland Berger, Felix Mogge, diversifikimi i aktiviteteve nuk do të jetë i mjaftueshëm për të shpëtuar shumicën e furnizuesve.
Ai theksoi se tregjet e reja ku po synojnë kompanitë janë tashmë shumë konkurruese, ndërsa kontratat në sektorin e mbrojtjes zakonisht përfshijnë porosi më të vogla dhe më pak të parashikueshme sesa ato të industrisë automobilistike.
“Gjetja e segmenteve të reja të produkteve mund të jetë një shtesë interesante në portofolin e një furnizuesi, qoftë edhe në një shkallë të vogël”, tha Mogge për AFP-në, duke shtuar se kjo “nuk do t’i zgjidhë problemet strukturore në sektorin automobilistik”.
Edhe drejtori i Jopp pranoi se mënyra se si strukturohen kontratat e mbrojtjes e bën të vështirë përcaktimin e saktë të numrit të vendeve të punës që mund të ruhen falë marrëveshjes për prodhimin e dronëve.
Kompanitë e mbrojtjes zakonisht nënshkruajnë kontrata kornizë, përmes të cilave angazhohen për një sasi të caktuar produktesh, me mundësinë e porosive shtesë në të ardhmen.
“Sektori i mbrojtjes bën porosi në seri të vogla”, theksoi Buechs.
Në të kundërt, prodhimi i veturave vazhdon për vite me radhë dhe në sasi që, sipas tij, “zakonisht janë shumë të lehta për t'u llogaritur”.
Megjithatë, ai argumentoi se Jopp kishte pak alternativa përveç zgjerimit në sektorë të tjerë, pasi marzhet e fitimit në industrinë automobilistike janë “të vështira dhe mjaft të dobëta”.
“Industria tashmë është përballur me vështirësi të mëdha dhe duket se kjo gjendje do të vazhdojë”, përfundoi Buechs. /Telegrafi/
