TË FUNDIT

Nga konsumator në ofrues të sigurisë, Shala tregon çfarë bëri Kosova në misionin e SHBA-së

Kosova ka nënshkruar marrëveshjen formale për t’iu bashkuar listës së shteteve që janë zotuar të kontribuojnë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) në Gazë, duke e formalizuar kështu përfshirjen e saj në këtë mision ndërkombëtar.

Marrëveshja është nënshkruar nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe komandanti amerikan i ISF-së, gjeneralmajor Jasper Jeffers.

Përfshirja e Kosovës në këtë mision vjen në një kohë kur roli i saj në sigurinë ndërkombëtare po merr një dimension të ri. Eksperti i sigurisë, Dirzan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se rëndësia e këtij angazhimi qëndron jo vetëm te nënshkrimi formal i marrëveshjes, por edhe te puna që pjesëtarët e FSK-së kishin nisur muaj më herët.

ImageDirzan ShalaFoto galeri
“Ajo që bëri Kosova është më e ngushtë se sa nënkupton zakonisht shprehja ‘aleat i besueshëm’, dhe më specifike. Kosova angazhoi personel dhe ekspertizë në një mision të udhëhequr nga SHBA-ja në një moment kur misioni ishte politikisht i ndërlikuar dhe operacionalisht i pasigurt, dhe më pas i mbajti ata aty për pesë muaj, gjatë të cilëve forca nuk hyri në Gaza. Nënshkrimi i 7 shtatorit formalizoi një vendim që shteti tashmë e kishte zbatuar”, ka thënë ai.

Sipas Shalës, nënshkrimi i marrëveshjes nuk shënon fillimin e angazhimit të Kosovës, pasi pjesëtarë të FSK-së kishin qenë të përfshirë në punën e misionit që nga fillimi i pranverës.

“Nënshkrimi erdhi i fundit. Oficerët e Kosovës kishin tashmë muaj që punonin. Kronologjia është e përcaktuar në vetë dokumentin. Komunikata që Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit publikoi në Prishtinë më 7 shtator shënon fillimisht nënshkrimin e Marrëveshjes për Shtetet Pjesëmarrëse, ndërsa katër paragrafë më poshtë përmend diçka më të hershme: ‘Që nga fillimi i pranverës, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë dislokuar në selinë e ISF-së, duke udhëhequr planifikimin në fushat e logjistikës, çështjeve civile dhe operacioneve për pastrimin e mjeteve të pashpërthyera.’ Nënshkrimi është i shtatorit. Puna daton nga marsi ose prilli”, ka vlerësuar Shala.

Duke folur për rëndësinë e këtij angazhimi, Shala e sheh atë si pjesë të një ndryshimi më të gjerë në rolin e Kosovës në fushën e sigurisë.

“Vendi ynë ka qenë konsumator i sigurisë, që do të thotë se vendet e NATO-s kanë kontribuar në sigurinë e Republikës së Kosovës. Sot po hyjmë në një fazë ku po bëhemi ofrues, apo eksportues, të sigurisë”, ka shtuar ai.

Gjithashtu,Shala ka theksuar se angazhimi i Kosovës në ISF është një vendim që tashmë është zbatuar në praktikë, ndërsa çdo zhvillim i mëtejshëm lidhur me vendosjen e forcës në terren do të varet nga vendimet e vetë misionit ndërkombëtar.

“Ajo që bëri Kosova është më e ngushtë se sa nënkupton zakonisht shprehja ‘aleat i besueshëm’, dhe më specifike. Ajo angazhoi personel dhe ekspertizë në një mision të udhëhequr nga SHBA-ja në momentin kur misioni ishte politikisht i ndërlikuar dhe operacionalisht i pasigurt, dhe më pas i mbajti ata aty për pesë muaj, gjatë të cilëve forca nuk hyri në Gaza. Nënshkrimi i 7 shtatorit formalizoi një vendim që shteti tashmë e kishte zbatuar. Nëse ISF-ja do të hyjë ndonjëherë në Rafah, kjo nuk është në duart e Kosovës. Ajo që ishte në duart e saj, Kosova e ka bërë”, ka thënë Shala.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *