Nga Google kërkohet të ndalojë ndërtimin e qendrës së të dhënave në Belgjikë
Autoritetet belge e kanë urdhëruar Google të ndalojë punimet e ndërtimit në një qendër të madhe të dhënash në jug të vendit, pasi kërkesat e kompanisë amerikane të teknologjisë për të ndryshuar kushtet fillestare të lejes së ndërtimit nuk ishin miratuar.
“Inspektorët vizituan vendndodhjen dhe vunë re se ndërtesa ishte pothuajse e përfunduar, me punimet strukturore të kryera, edhe pse leja ishte refuzuar”, deklaroi për transmetuesin publik RTBF, Raphaël Stokis, një zyrtar i rajonit të Valonisë.
Stokis tha se 300 punëtorëve u ishte dhënë një urdhër verbal për të ndaluar punën, i cili më pas iu konfirmua me shkrim edhe Google-it.
Në një deklaratë, kompania u shpreh se është “e përkushtuar për të ruajtur një dialog të hapur dhe bashkëpunues” me autoritetet rajonale.
Kërkesa e Google-it për të ndryshuar planet – e cila përfshinte, ndër të tjera, kalimin nga ftohja me ajër në ftohjen me ujë – u miratua fillimisht nga autoritetet vendore, por më vonë u anulua pas protestave.
Kompania e ka apeluar vendimin dhe pritet një vendim i ri në fillim të vitit të ardhshëm.
Ndërtesa e madhe, e cila zë rreth 3 hektarë brenda një parku biznesi prej 50 hektarësh – të ndërtuar në vendin e një ish-mine qymyri në Aiseau-Presles, rreth 15 km në perëndim të Charleroi-t – është një nga tri ndërtesat që Google kishte planifikuar fillimisht në këtë zonë. /Telegrafi/
